2009-07-29 18:12:36

mzot Miliore në debatin për mbrojtjen e popujve nga genocidi, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit


(29.07.2009 RV)RealAudioMP3 Dje, Asambleja e 97-të e Përgjithshme e OKB-së debatoi mbi një Raport të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-Mun mbi përgjegjësinë në mbrojtjen e popujve nga genocidi, krimet e luftës, spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimit. Foli edhe Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit pranë Kombeve të Bashkuara, imzot Çelestino Miliore.
Asambleja bëri një bilanc të zbatimit të direktivave të Rezolutës Botërore të miratuar katër vjet më parë mbi argumentin. Siç shpjegoi imzot Miliore, ajo bazohej në tri shtylla: përgjegjësia e çdo shteti në mbrojtjen e popullsisë së vet; përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar në çdo shtet mundësitë për mbrojtjen e popullsisë dhe përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërhyrë aty ku shteti përkatës nuk e ushtron si duhet autoritetin e vet.
Për të tria argumentet, Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në selinë e OKB-së, në Nju Jork, dha disa ide, që mund ta përmirësojnë gjendjen. Përsa i përket përgjegjësisë së shteteve, ai theksoi se nëse njeriu vendoset në qendër të politikave për mbrotjen e të drejtave të tij, nuk do të ketë probleme genocidi, krimesh lufte, spastrimi etnik apo krimesh kundër njerëzimit. Qeveritë duhet të përfshijnë gjithnjë e më tepër në politikën kombëtare pakicat fetare, racore apo etnike.
Bashkësia ndërkombëtare mund të japë një ndihmesë të madhe në këtë drejtim, por duke u mbështetur në organizatat lokale, përfshirë ato fetare, të cilat e njohin vendin dhe mund të ofrojnë mjetet e dialogut. Imzot Miliore kërkoi mbështetjen më të madhe financiare për vendet në zhvillim dhe përpjekje për t’i bërë ato të kuptojnë se çdo gjë mund të fitohet përmes shtetit të së drejtës e ligjit.
Pati kritika për pikën e tretë të dokumentit, që parashikon ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare aty ku shteti nuk është në gjendje ta mbrojë popullsinë e vet nga krimet e genocidi. Sipas imzot Miliores, bashkësia ndërkombëtare i ka dhënë përparësi ndërhyrjes me dhunë, pa menduar për mënyrat e tjera jo të dhunshme, me të cilat mund të dialogohet. Edhe sanksionet, të cilat janë një armë e fuqishme në duart e OKB-së, duhet të përdoren për të parandaluar përhapjen e dhunës, por jo kundër popullsisë civile. Imzot Miliore i nxiti shtetet-anëtare të Këshillit të Sigurimit të marrin vendime duke pasur parasysh nevojat e popullsive e jo thjesht hartën gjeopolitike.
Në përfundim, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë shprehu gatishmërinë e bashkësive fetare për të ndihmuar në mbrojtjen e popullsive nga krimet e genocidi dhe u kërkoi liderëve fetarë të denoncojnë çdo përdorim të dhunës në emër të fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.