2009-07-28 15:12:00

Vizitë e vështirë e Partikut të Moskës në Ukrainë


(28.07.2009 RV)Që dje e deri më 5 gusht, Patriku i Moskës dhe i të gjithë Rusive, Kirill ndodhet në Ukrainë për një vizitë të rëndësishme, por edhe të vështirë. Ndërsa Kisha ortodokse ukrainase, e udhëhequr nga mitropoliti Volodimir, autonome por nën juridiksionin e Moskës, kremton mbërritjen e Kirillit, Patriarkana e Kievit, kryesuar nga Filarete – që në vitin 1992, sëbashku me Kishën e vogël autoqefale ukrainase, u nda nga e para – e ka kritikuar udhëtimin. “Ka ardhur koha të kuptohet se Ukraina nuk është Rusia – tha Filarete – e të njihet e drejta jonë për të ndërtuar një të ardhme të pavarur”.
Sipas rendit protokollar, Kirilli, si Patrik i ri i Moskës dhe i të gjithë Rusive, do të takohet me të gjitha Kishat ortodokse simotra. Ky udhëtim baritor nisi në Stamboll, nga 4 deri më 6 korrik, në Patriarkanën ekumenike të Kostandinopojës. Edhe për vizitën në Ukrainë, Patriku Kirill ka deklaruar se ajo ka qëllime baritore e jo politike. Ka mundësi që Patriku i Moskës të takohet edhe me bashkësitë disidente. Sot, gjatë përkujtimit të princit Vladimir, në manastirin e shpellave të Kievit, Kirill u bëri thirrje të rikthehen në gjirin e Kishës mëmë, pra nën juridiksionin e Moskës.
Ukrainasit janë ortodoksë në pjesën më të madhe, por shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe refuzimi i autoqefalisë nga ana e Patriarkanës së Moskës, shkaktoi ndarjen e Kishës ortodokse në tri pjesë, dy prej të cilave në kundërshtim të hapur me simotrën ruse. Zyrtarisht, famullitë e Kishës që njihet nga Moska janë më të mëdha në numër se për Kishat e tjera, por numri i besimtarëve “disidentë” mendohet se e kapërcen numrin e atyre që i binden Moskës.








All the contents on this site are copyrighted ©.