2009-07-28 14:32:51

Sot me 28 korrik përkujtojmë 95 vjetorin e shpërthimit të Luftës së I Botërore.


(28.7.2009 RV)Më 28 korrik kujtojmë pra, ngjarjen që ka ndodhur pothuajse para një shekulli, dëshmitarët pamor të së cilës nuk jetojnë më. Libri i madh i historisë hap para nesh faqen e datës 28 qershor 1914. Lexojmë: “Në sarajevë u vra trashëgimtari i fronit austrohungarez, Franc Ferdinandi, së bashku me të shoqën, Sofinë. Vrasësi ishte nacionalist serb. Quhej Gavrilo Princip.
Një muaj më vonë, më 28 korrik 1914 Austro-Hungaria i shpallte luftë Serbisë.
Lufta e Parë Botërore apo Lufta e Madhe ishte lufta që përfshiu pothuajse gjithë botën, nga viti 1914 deri në vitin 1918. Kjo luftë e paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit i kushtoi atij humbjen e mbi nëntë milionë njerëzve. "Lufta e Madhe" përfshiu gjashtë kontinentet e banuara të lëmshit tokësor: Evropën, Azinë, Afrikën, Amerikën e Jugut, Amerikën e Veriut dhe Australinë.
Lufta e I Botërore, siç përmendm, nisi me vrasjen e kryedukës Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të tronit të Perandorisë Austro-Hungareze në Sarajevë të Bosnjës nga kombëtaristi serbo-boshnjak Gavril Princip me 28 qershor 1914.
Në këtë konflikt mbarëbotëror të armatosur u përballuan dy fuqi të mëdha: Perandoritë qendrore (Perandoria gjermanike dhe Perandoria Austro-Hungareze) dhe nga ana tjetër Pakti i Trefishtë (me Mbretëritë e Bashkuara, Francën, dhe Rusinë). Lufta e Madhe filloi me 4 gusht 1914 dhe përfundoi më 11 nëntor 1918 me fitoren e Paktit të Trefishtë.
Lufta shkaktoi shpërbërjen e katër perandorive: Perandorisë Austro-Hungareze, Prusisë, Perandorisë Osmane dhe Rusisë. Gjermania humbi perandoritë koloniale dhe shtetet evropiane të Çekosllovakisë, Estonisë, Finlandës, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Jugosllavisë fituan pamvarësinë.
Lufta e I Botërore shënoi mbarimin e rendit botëror që u vendos pas Luftërave Napoleoniane, dhe ishte një shkaktare e rëndësishme për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.