Tensione të reja shoqërore në Argjentinë: thirrje për dialog nga qeveria dhe ipeshkvijtë
(27.07.2009 RV)Sërish tension shoqëror në Argjentinë. Përballë vështirësive
ekonomike dhe politike, ashpërsohen protestat e sindikatave. Presidentja Kristina
Fernandez de Kirhner bën thirrje për një dialog më të frytshëm ndërmjet sektorëve
të ndryshëm të kombit. Gjendja në vend është shqetësuese: ekonomia është sërish
në një pikë kritike pasi rritet ikja e kapitalit, mungojnë investimet, rritet papunësia
e kështu edhe tensioni e konflikti shoqëror. Thirrja e kryetares së shtetit vjen pas
humbjes në zgjedhjet e 28 qershorit. Zonja Fernandez de Kirhner u detyrua të ndryshonte
ministrin e ekonomisë dhe funksionarë të tjerë të qeverisë. Nga ana tjetër, Kisha
katolike argjentinase po bën thirrje për dialog prej vitesh. Në një notë të Komisionit
kombëtar “Drejtësi e Paqe” të Konferencës Ipeshkvnore vihet në dukje rëndësia e dialogut
ndërmjet sektorëve të afaristëve, të sindikalistëve, të bujqve e të shoqërisë civile.
Ftohen protagonistët e situatës të japin propozime, duke pasur si horizont respektimin
e dinjitetit të personit, të mirën e përbashkët e jo interesat sektoriale. Vetë nota
e ipeshkvijve propozon disa fusha të rëndësishme ndërhyrjeje, si edukimi, shëndeti,
drejtësia dhe siguria e qytetarëve, reformat shoqërore e politike, modernizimi i shtetit,
ambienti, bujqësia, liria dhe përgjegjësia e qytetarëve etj.. Duhet arritur në një
“atdhe pa përjashtime e të përjashtuar”, thekson nota në përfundim.