2009-07-27 16:24:44

Sulme të reja para zgjedhjeve presidenciale në Afganistan


(27.07.2009 RV)RealAudioMP3 Rritet tensioni në Afganistan. Më pak se një muaj para zgjedhjeve presidenciale vazhdojnë atentatet e sulmet. 22 viktima gjatë 24 orëve të fundit, ndër ta 16 talebanë e 7 ushtarë ndërkombëtarë. Ka edhe disa shembuj pozitivë. Në rajonin e Bala Murgabit, falë ndërhyrjes së pleqve dhe të krerëve të provincës, është arritur një armëpushim, që do të zgjasë deri më 20 gusht, data e zgjedhjeve. Të dëgjojmë presidentin e Qendrës italiane të Studimeve Ndërkombëtare, Andrea Marxheleti:
Vendimi i rebelëve për t’u marrë vesh me qeverinë qendrore është shenja se strategjia e luftës, e vetme, nuk jep fryte. Natyrisht, është i rëndësishëm edhe fakti që qeveria ka vendosur të flasë me palën kundërshtare, pikërisht sepse është protagoniste në qëndrueshmërinë e Afganistanit.
Talebanët po e shtojnë dhunën para zgjedhjeve presidenciale, për t’i penguar ato. Pse janë kaq të rëndësishme?
Rëndësia qëndron në faktin se dalëngadalë, në një vend që qeverisej me çmenduri të vetëdijshme nga talebanët, ka filluar procesi i dialogut, me në qendër pleqtë e fiseve e të komponenteve të ndryshme etnike. Ja, ky është një fakt absolutisht i rëndësishëm.
Por cila është situata nga pikpamja e sigurisë?
Aksionet e kontingjentit ndërkombëtar sëbashku me forcat afgane kanë arritur të dobësojnë ndjeshëm talebanët. Por jo vetëm ata. Tashmë flasim për kryengritës, për zotërinjtë e luftës, trafikantë armësh, droge e të tjera.
Ju jeni kthyer prej pak ditësh nga Afganistani. Si e gjetët vendin?
Gjeta një vend ku për shtatë vjet me radhë është folur shumë, është bërë shumë luftë, por është rindërtuar pak. Kjo sepse rindërtimi kërkon shumë para e askush s’ka dëshirë ta bëjë. Por mbetet e vetmja alternativë. Në Afganistan, është i nevojshëm një vizion i përbashkët, pra një konsensus për marrëdhëniet ndërmjet kombeve të ndryshme, rregulla të përbashkëta… Ka akoma shumë e shumë për të bërë!







All the contents on this site are copyrighted ©.