2009-07-25 15:24:53

Shenjtorët e Javës së ardhshme


(26.7.2009 RV)RealAudioMP3 Sot e diel 26 korrik, sipas kalendarit liturgjik, Kisha katolike kremtoi të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar e po sot me 26 korrik, kalendari kishtar përkujtoi edhe festën e Shën Joakimit e Shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të drejtët e Izraelit e prisnin ardhjen e Mesisë.
Nesër, e hënë 27 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Pantaleonin, mjek e martir dhe Shën Çelestinin, papë. Liturgjia e ditës na kujton shëmbëlltyrën ungjillore të farëhedhësit. Secili nga ne duhet të marrë pjesë në këtë hedhje të farës së mirë të dashurisë, mirëkuptimit e paqes, pa menduar për cilësinë e arës, por për ‘mirësinë’ e farës.
Të martën e ardhshme më 28 korrik kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Urbanin II e Vitorin papë, Nazarin e Çelsit, martirë milanezë dhe Shën Ezekielin profet. Liturgjia e festës së tyre na kujtojnë se shëmbëlltyra ungjillore e egjrës, e mbjell në të njëjtën arë me grurin e mirë, është simbol i padurimit të atyre që e konsiderojnë veten të mirë, ndërsa për të tjerët e kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të drejtësisë së Zotit, i cili, ndërkaq, kohët e veta i rregullon me orën e mëshirës e jo të ndëshkimit.Një farë e vogël mund të shndërrohet në pemë të madhe; pakëz tharm e tharmë gjithë brumin. Nuk duhet ta gjykojmë mbretërinë e qiellit nga dukja, sepse veprat e Hyjit janë të paparashikueshme.
 
Të mërkurën më 29 korrik, kalendari kishtar do të përkujton Shën Martën, dishepulle e Zotit. Liturgjia e kësaj dite na kujton se Krishti nuk i dënon punët me të cilat merret Marta, sepse edhe ai vetë ka nevojë për to, por dëshiron të nënvizojë praninë e tij, të cilën mund ta zbehë shqetësimi për ta pritur sa më mirë.
 
Të enjten e ardhshme me 30 korrik, sipas kalendarit kishtar do të kremtohen Shën Pjetër Krizologu, ipeshkëv i Ravenës e dijetar i Kishës dhe Shenjtorët Abdon e Senen, martirë. Na kujtojnë se mbretëria e qiellit është një thesar me vlera të pallogaritshme, që nuk duhet nënvleftësuar. Kush ka fatin ta gjejë, duhet të bëjë çmos ta shfrytëzojë për vete e për të tjerët.
 
Liturgjia e së premtes me 31 korrik, në festën e Shën Injacit të Lojolës, meshtar, themelues i Shoqërisë së Jezusit, na kujton simbolet tipike të krishterimit: peshkatarin, peshkun e peshkimin. Peshkatari e di se në rrjetë nuk zihen vetëm peshq të mirë; ka edhe të këqij, që duhen ndarë nga të mirët. Rëndësi ka të jesh ndërmjet peshqve të mirë.
 
Të shtunën që vjen me 1 gusht, do të kremtohen Shën Alfons Maria de’ Liguori, ipeshkëv e dijetar i Kishës, themelues i Kongregatës të të Shëlbuemit, 7 Shenjtorët vëllezër Makabej dhe i lumi Pjetër Favre, jezuit. Na kujtojnë se shpesh herë planet tona nuk përkojnë me planet e Zotit, të cilave duhet t’u nënshtrohemi pa fjalë, sepse janë plane shëlbimi.

Të dielën e ardhshme më 2 gusht, kalendari liturgjik i Kishës do të kremtojë të dielën e 18-të gjatë vitit kishtar e po më 2 gusht bie edhe përkujtimi i Shën Euzebit, ipeshkëv i Verçelit, Shën Pjetrit Gjuliani Eimard, themelues i Sakramentinëve dhe Shën Shtjefnit papë. Liturgjia e festës së tyre na kujtojnë se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun jetës tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, atë çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar dhe e dëshmuar ndaj të afërmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.