2009-07-25 15:27:32

Pas 92 vjetësh, në Rusi rikthehet mësimi i fesë në shkolla


(25.07.2009 RV)RealAudioMP3 Në shkollat e Federatës Ruse rikthehet ora e fesë, pas 92 vjetësh mungese, 70 prej të cilave nën diktaturën komuniste. Studimi i kësaj lënde do të nisë fillimisht në 18 rajone e në 12 mijë institute e do të bëhet mbi bazë vullnetare. Nxënësit mund të zgjedhin si alternativë lëndën e “etikës së kulturës laike”. Mbi këtë vendim të qeverisë ruse, të dëgjojmë kryeipeshkvin e Moskës, imzot Paolo Pecin:
Komenti i parë është se ky ligj është pritur pozitivisht. Një ligj që parashikon se aty ku ka pakica fetare të caktuara – pra jo ortodokse – të jepet mundësia e mësimit të fesë së tyre. Kjo ka të bëjë, sidomos në disa zona, me mësimin e fesë islamike dhe asaj budiste.
E përsa i përket fesë katolike?
Faktikisht, si pakicë, nuk hyjmë në një plan zyrtar mësimdhënie të fesë katolike. Nëse në ndonjë shkollë prania e nxënësve katolike do të jetë e tillë, që të justifikojë formimin e një grupi, po vlerësojmë që ta kërkojmë këtë mundësi.
Cilat janë kushtet që sollën këtë vendim? A ekziston ndonjë emergjencë edukative, së cilës qeveria dëshiron t’i përgjigjet?
Besoj se kjo është arësyeja kryesore, pra nevoja e edukimit të rinisë, nevoja për t’u dhënë të rinjve një perspektivë bindëse për jetën.
Në tokën e komunizmit, ku u mbollën e dhanë fryte teoritë e Marksit, sot pranohet se feja nuk është opium për popujt…
Kjo tashmë, pranohet prej kohësh. Nuk është më një qëndrim ideologjik i përhapur. Sot, ekziston dëshira për të kërkuar, edhe tek feja, kuptimin e jetës. Në këtë drejtim duhet të shihet edhe kthimi i mësimit të fesë në shkolla.
Ky pra mund të jetë hapi i parë i rëndësishëm edhe për bashkësinë katolike ruse, apo jo?
E konsideroj gjithsesi, një fakt të rëndësishëm. Megjithëse ne nuk jemi përfshirë drejtpërdrejt në të, do të nënvizoja se ne mund të japim kontributin tonë me anë të përvojës në mësimin e fesë katolike, që kemi në vendet e tjera, për të arritur më pas, në institute, shkolla me të vërtetë të krishtera, që kanë në qendër formimin e tërësishëm të njeriut. Sot, nuk ekziston asnjë paragjykim ndaj Kishës Katolike e ky mund të jetë çasti i përshtatshëm për të çuar përpara këtë lloj projekti.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.