2009-07-25 15:29:13

70 vjetori i letrës së hebreut Emanuel Celer, përfaqësues në Kongresin amerikan, mbi impenjimin e Kishës Katolike e të Papës Piu XII për paqen


(25.07.2009 RV)RealAudioMP3 Nga dokumenta të shumta për periudhën dramatike të Luftës II Botërore del në pah një kontribut i çmuar i Kishës Katolike dhe i Papës Piu XII në favor të paqes. Ndër to, është emblematike, letra e shkruar 70 vjet më parë, më 24 korrik 1939, nga Emanuel Celer, anëtar i Kongresit amerikan dhe përfaqësues hebre i qytetit të Nju Jorkut. Në dokumentin, që i drejtohet sekretarit të atëhershëm të Departamentit amerikan të shtetit, Kordell Hall, nënvizohet në veçanti rëndësia e fesë “për të ruajtur demokracinë kundër sulmeve të pamëshirshme të fashizmit, nazizmit dhe komunizmit” dhe vlera e lartë që i jepte Selia e Shenjtë “drejtësisë e dashurisë”. Mbi këtë dokument, flet në mikrofonin tonë, zv-drejtori i Institutit teologjik salezian “Ratisbonne” të Jeruzalemit, don Xhovani Kaputa, sekretar i delegacionit vatikanas në Komisionin dypalësh për negociatat ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Izraelit:
Është një letër e gjatë, e shkruar për të nxitur rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve. Marrëdhëniet qenë vendosur për herë të parë më 15 dhjetor 1784. Pastaj, me rënien e Romës, në vitin 1870, gjërat ndryshuan dhe marrëdhëniet u ndërprenë. Kjo ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe SHBA-ve vazhdonte akoma kur Celer vendosi të shkruante këtë letër.
Një nga gjërat që nënvizohen në letër është impenjimi i Kishës për paqen dhe drejtësinë…
Celer thotë se në të gjitha kohërat, Kisha Katolike ka luftuar për mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe është treguar mike me demokracitë. Shton edhe se në vitet kur ideologjitë e fashizmit, të nazizmit dhe të komunizmit po i shkatërronin këto vlera njerëzore, ishte e domosdoshme të bashkoheshin të gjithë faktorët, protagonistë të këtyre vlerave.
Një aspekt tjetër i dokumentit ka të bëjë me qëndrimin e papëve ndaj hebrenjve…
Celer niset nga shumë larg, duke nënvizuar se antisemitizmi nuk është pranuar kurrë nga përfaqësuesit e Kishës Katolike. Citon, për shembull, një dokument të Papës Gregori i Madh, të vitit 538, në të cilin Ati i Shenjtë ndalon që hebrenjve t’u vihen kufizime jo konform ligjeve në fuqi. Celer vazhdon, duke cituar historianin Hajnrih Grec. Në veprën e tij, titulluar “Historia e hebrenjve”, Grec nënvizon se ipeshkvijtë e Romës i kanë trajtuar hebrenjtë gjithnjë me tolerancë dhe liberalizëm të madh.
Në pjesën e fundit të letrës, thuhet se Papa Piu XII punoi për paqen ndërmjet kombeve, një paqe të bazuar mbi drejtësinë e dashurinë…
Celer shkruan: “Piu XII po aktivizohet për të sjellë paqen në një botë të kërcënuar nga lufta. Ai na ka shtrirë dorën e miqësisë. Ta shtrëngojmë këtë dorë e të rivendosim marrëdhëniet diplomatike”. Kështu përfundon letra.
Pra, jemi para një dokumenti të shkruar 70 vjet më parë, por edhe sot aktual. Rivendosja e marrëdhënieve – lexohet në letër – do të shërbente për t’i kujtuar botës se intoleranca, urrejtja fetare dhe fanatizmi nuk mund të gjejnë vend…
Konteksti sot është shumë i ndryshëm. Faleminderit Zotit nuk jemi më në kohë lufte, pavarësisht se përvijohen disa kërcënime në horizont. Por parimi që ka mbrojtur gjithnjë Selia e Shenjtë, sidomos përmes diplomacisë vatikanase, mbetet ai i bindjes së përgjegjësve të kombeve se nga lufta nuk fitohet asgjë. Në të kundërt, rrezikojmë të humbasim gjithçka. Me bisedime plot durim – bazuar në respektimin e drejtësisë – mund të shpëtohen vlerat e pasuritë e të gjithë popujve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.