(23.07.2009 RV) O Zoti im, besoj në Ty, ma përforco besimin; shpresoj në Ty,
ma jep shpresën; të dua Ty, ma rrit dashurinë, pendohem para Teje, ma shto pendesën. Të
adhuroj, si fillesën e parë, të dëshiroj si qëllimin e fundit, të lavdoj, si bamirësin
tim të përhershëm; të thërras në ndihmë, si mbrojtësin tim sovran. Të lutem, më drejto
me urtinë tënde, më gjyko me drejtësinë tënde, më ngushëllo me mëshirën tënde, më
mbro me fuqinë tënde. Ty t’i kushtoj, o Zoti im, mendimet e mia, fjalët e mia,
veprat e mia, vuajtjet e mia. Që sot e tutje, do të mendoj veç për Ty, do të flas
për Ty, do të veproj si të më thuash Ti, do të vuaj për Ty. Dua atë që do Ti, siç
e do Ti, sepse e do Ti! Të lutem o Zot, ma jep urtinë, ma kalit vullnetin, ma
pastro trupin, ma shenjtëro shpirtin. Më ndihmo o Zot, të pendohem për mëkatet,
të fitoj mbi tundimet, të praktikoj virtytet. Ma mbush zemrën me dashurinë e mirësinë
tënde, me mërinë për hipokrizinë, me zellin për të afërmin, me neverinë për vesin. Më
ndihmo ta mund koprracinë me lëmoshë, zemërimin me ëmbëlsi, përtacinë me vetëmohim. Më
ndihmo të jem i pjekur në këshilla, i qëndrueshëm në rreziqe, durimtar në prova, i
thjeshtë në sukses. Bëj, o Zot, të jem i përkushtuar në lutje, i përmbajtur në
të ngrënë, i zellshëm në punë, i qëndrueshëm në vendime. Më mëso ta kem zemrën
të pastër, veshjen të thjeshtë, bisedën bindëse, sjelljen të rregullt. Më ndihmo
ta sundoj natyrën, të jetoj sipas urdhërimeve të tua, të meritoj shëlbimin. Bëj që
të jem gati për të vdekur, t’i druhem gjykimit tënd, të shpëtoj nga ferri, të fitoj
parajsën. Nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë. Amen!