2009-07-23 13:47:37

Sot me 23 korrik, kalendari Kishtar përkujton Shën Brigjidën e Suedisë, Bashkëpajtore e Evropës.


(23.7.2009 RV)Grua e nënë, fisnike dhe e përkushtuar varfërve, mistike e Mundimeve të Krishtit, Shenjte e Pajtore Qiellore e Evropës: kjo me pak fjalë është Shën Brigjida e Suedisë, përkujtimin liturgjik të së cilës Kisha e kremtoi sot.
Lindi në Finstad të Suedisë në qershor të vitit 1302 në një familje fisnike, thellësisht të krishterë. I jati, Birgen Person, gjykatës dhe governator i zonës Upplan, njihet si autor i legjislacionit të parë të krishterë në mbretërinë e Suedisë. Brigjida, e martuar në moshë të re, qe bashkëshorte e nënë shembullore e tetë fëmijëve. Pas vdekjes së burrit, u dha pas jetës asketike. Më 1350 shtegtoi drejt Romës me rastin e jubileut e nuk u kthye më në atdhe. Themeloi urdhërin rregulltar të të Shëlbuemit, që njihet edhe me emrin ‘Urdhëri i Brigjidineve’. Vdiq në Romë me 23 korrik të vitit 1373.
Papa Gjon Pali II e quajti Shën Brigjidën “specialiste e shpirtit" dhe i ftoi simotrat e saj të jenë kudo ndërtuese të palodhura të ekumenizmit të madh të shenjtërisë.
E Benedikti XVI, duke folur tri vjet më parë për Shën Brigjidën, Pajtore e Evropës, në ditën e festës së saj, theksoi :“Erdhi nga Suedia në Romë e, prej këndej, shtegtoi në Tokën Shenjte; na fton kështu ta ndihmojmë njerëzimin të gjejë paqen e vërtetë pikërisht në Tokën Shenjte”.
Kujtojmë se Urdhëri i Motrave Brigjidine, veprimtaria ekumenike e të cilave vlerësohet shumë në viset veriore të Evropës, ku ka pak katolikë e ku prandaj dialogu është më i rëndësishëm se gjetiu, sot numëron 600 motra rregulltare dhe 45 bashkësi të përhapura në mbarë botën.
“Amor Meus Crocifixus est” – “Dashuria ime është i Kryqëzuari” – ishte motua e Shën Brigjidës. Karizma e saj ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve të njerëzimit dhe bashkimi i Kishës. Ajo i mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në të gjitha fushat e shoqërisë. Shën Brigjida Pati meritën t’i bënte të vërtetat e fesë të kuptueshme për popullin, sepse i foli me një gjuhë që ndizte fantazinë, prekte zemrat, hapte horizontet e amshimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.