2009-07-23 17:42:57

Nesër Muzetë e Vatikanit do të hapen përsëri në mbrëmje


(23.07.2009 RV)RealAudioMP3 Hapje e jashtëzakonshme e Muzeve të Vatikanit nesër mbrëma: publiku mund të vizitojë Kapelën Sikstine, Stancat e Rafaelit dhe mrekullitë e tjera të Muzeve, ndërmjet orës 19 e 23, me hyrjen e fundit në orën 21.30 të atyre që kanë shënuar detyrimisht emrin në kanalin zyrtar të Muzeve të Vatikanit.
Po cili është qëllimi i kësaj nisme? Pyetëm drejtorin e Muzeve vatikanase, Antonio Pauluçi:

Përgjigje: - T’ia kthejmë Muzetë pronarëve të tyre ligjorë, dmth qytetarëve të qytetit ku Muzeu lindi e u formua. Sepse muzetë, që tërheqin turma njerëzish nga të katër anët e botës – si Muzeu Ufici i Firencës, Luvri i Parisit e ndonjë tjetër, si British Muzeum, për shembull – janë bërë vende, të cilat qytetarët e këtyre qyteteve nuk i ndjejnë më të vetat, të pushtuar siç janë nga turistët. Prandaj, simbolikisht, duam që për një mbrëmje korriku të 2009-tës, romakët të hyjnë në Muzetë, ngritur nga papët për të gjithë botën e krishterë, natyrisht, e për lavdinë e Qytetit të Amshuar, por prej këndej, edhe për qytetarët e Romës.

Pyetje: - Nesër, pra, nga 19 deri më 23, me hyrjen e fundit në orën 21. 30 nuk prisni vizita të organizuara…

Përgjigje: - Jo, sepse këto e kanë kohën shumë të kufizuar. Japonezi apo amerikani, që vjen në Romë, kursen edhe minutin. Pastaj, për vizita të kësaj natyre, duhet të kishim njoftuar së paku një vit përpara, duke përcaktuar edhe datat e hapjes. Kështu nuk presim turizëm të organizuar. Presim vizita individuale, posaçërisht banorë të Romës, popullin e Romës, duke kujtuar se një nga vendet më mahnitëse, që nuk duhet kaluar pa vëmendje të veçantë, është Oborri Tetëkëndësh mbi kodrën e Belvederes, në zemrën e Muzeve të Vatikanit. Rreth tij shtrihen galeritë me koleksionet e tyre të pashembullta. Ç’është më gjeniale në këtë hapësirë? Në këtë vend, krijuar nga Papa Klementi XIV nga fundi i shtatëqindës, ruhen kryevepra absolute të skulpturës së lashtë: është Laocoonti, është Apolli i Belvederes, por ka edhe kryevepra të artit modern: të Antonio Kanovës, për shembull. E mbi të gjitha, është mrekullia se mbi Oborrin Tetëkëndësh nuk ka çati, çatia është qielli i Romës e shtatoret, ardhur këtu nga kohë e vende të ndryshme, duket sikur bisedojnë me vizitorin, nga kamaret ku janë vendosur, duket sikur tregojnë histori, mitologjike, rrënqethëse, por edhe mahnitëse. Takim me bukurinë e artit e të qiellit blu të Romës. Duke soditur këtë Oborr me disa porta, të duket se ndjen përqark frymëmarrjen e këtij Muzeu vigan, për të cilin me të drejtë përdorim numrin shumës: Muzetë!







All the contents on this site are copyrighted ©.