2009-07-23 17:42:44

Imzot Miliore: bashkësia ndërkombëtare të mbrojë popullsitë e dëmtuara nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.


(23.07.2009 RV)RealAudioMP3 Bashkësia Ndërkombëtare, përmes Kombeve të Bashkuara, e ka për detyrë t’i mbrojë popullsitë e shteteve, ku vërehen shkelje të rënda e sistematike të të drejtave të njeriut: kjo është tematika rreth së cilës nisën sot e do të vijojnë edhe nesër diskutimet në OKB. Pyetëm vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara mbi domethënien e këtij takimi. Në mikrofonin tonë imzot Çelestino Miliore:
 
Përgjigje: - Diskutimi bëhet posaçërisht pas episodeve të vitit të fundit, që flasin për lënien në mëshirën e fatit të popullsive të Gjeorgjisë, Osetisë, Republikës Demokratike të Kongos e të Sri Lankës. Përgjegjësia për të mbrojtur tanimë është bërë parim i së drejtës ndërkombëtare, por faktet që kujtuam më lart, tregojnë se kjo e drejtë nuk ka arritur ende të krijojë norma të përcaktuara, që kanë të bëjnë me sjelljen ndërkombëtare në këtë fushë.

Pyetje: - Flitet për siguri njerëzore, ndërhyrje humanitare, përgjegjësi për të mbrojtur. A mund të themi se ka evolucion ose ndryshim ndërmjet këtyre koncepteve?
 
Përgjigje: - Që nga rrëzimi e regjimeve komuniste në Evropë, koncepti i sigurisë botërore kaloi nga shqetësimet tradicionale gjeopolitike e strategjike, në shqetësime të reja, që kanë në qendër të vëmendjes individin e shoqërinë. Prej këndej nisën të përdoren konceptet e sigurisë njerëzore, të ndërhyrjes humanitare e të përgjegjësisë për të mbrojtur, me një emërues të përbashkët: atë të mbrojtjes, që ka vlera të ndryshme, humanitare e juridike. Përgjegjësia për të mbrojtur ka të bëjë me mbrojtjen e popullsive, që i nënshtrohen dëbimit në masë, genocidit, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit - e mbrojtja e qytetarëve të këtyre tipeve u takon, së pari, shteteve të veçanta. Por kur një shtet nuk e kryen këtë detyrë, atëherë natyrisht duhet të ndërhyjë bashkësia ndërkombëtare, duke përshkuar të gjitha rrugët paqësore të përcaktuara nga e drejta ndërkombëtare. Në raste ekstreme, mund të kalohet edhe në përdorimin e forcës, gjë që parashikohet nga kapitulli 7 i Kartës së OKB-së.

Pyetje: - Dokumenti i punës u përgatit nga kryetari i Asamblesë së përgjithshme të OKB-së i cili, për këtë diskutim, i kushton një paragraf edhe fjalimit të Papës mbajtur në OKB, në vitin 2008. Dihet se Ati i Shenjtë e ka prekur këtë temë…

Përgjigje: - Perspektiva në të cilën e pa problemin Ati i Shenjtë gjatë fjalimeve mbajtur para OKB-së, është thelbësisht ajo e lidhjes sovranitet-përgjegjësi: përgjegjësia për të mbrojtur – tha Papa – është baza morale e së drejtës së një qeverie për të ushtruar autoritetin. E çdo shtet ka përgjegjësi të dyfishtë: përgjegjësi të jashtme, që ka të bëjë me respektimin e sovranitetit të shteteve të tjera - e të brendshme, që lidhet me garantimin e dinjitetit e të drejtave të të gjithë nënshtetasve. Respektimi i sovranitetit të shteteve të tjera – pohoi Benedikti XVI – nuk ka të bëjë vetëm me parimin e mosndërhyrjes në punët e tyre të brendshme, por edhe me ndihmën, solidaritein e vëllazërinë. E kjo është një kategori që, për natyrën e vet, i përket familjes, në të cilën më të fortit kujdesen për më të ligështit. OKB- ja, duke mbikqyrur në ç’masë i mbrojnë qeveritë nënshtetasit e tyre, kryen një shërbim të rëndësishëm, në emër të bashkësisë ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.