2009-07-22 19:31:05

Të shumtë besimtarët anglikanë, që studiojnë fenë katolike


(22.07.2009 RV)“Katolik e evangjelik – dy faqe të së njëjtës medalje”. Ky është titulli i fjalimit, që mbajti kryeipeshkvi i Kantërburit, Rouan Uiljams, gjatë takimit, mbajtur në katedralen e Bristolit nga “Affirming Catholicism”, lëvizje e cila, nën drejtimin e kryetarit, Xhonatan Klerk dhe të pastores Anxhela Tilbi, po organizon një sërë takimesh, për të sensibilizuar besimtarët anglikanë për vlerat që ka tradita katolike në fushën e fesë e të mësimit doktrinor të Kishës.
Është në rritje të vazhdueshme – lexojmë në gazetën vatikanase ‘L’Osservatore Romano’ - numri i besimtarëve anglikanë anglezë e irlandezë, që dëshirojnë të thellohen në studimin e rrënjëve të tyre në fenë e krishterë, parë në dritën e mësimeve të katolicizmit. E kjo, sepse – siç shprehen anëtarët e Lëvizjes - Kisha anglikane ka ç’të mësojë nga traditat e ndryshme kishtare.
Kujtojmë se lëvizja “Affirming Catholicism", organizuar nga një grup laikësh e rregulltarësh të bashkimit anglikan, shumë të interesuar për të rizbuluar vlerat e traditës katolike, nisi veprimtarinë në vitin 1990. Që asokohe kjo lëvizje boton e shpërndan falas broshura informative për besimtarët. Shumica e anëtarëve të Lëvizjes, gjithnjë në rritje, vepron në famullitë e dioqezave anglikane të Anglisë, Skocisë, Uellsit, Irlandës, por po përhapet edhe në vende të tjera, ku ndjehet fort prania anglikane.







All the contents on this site are copyrighted ©.