2009-07-22 19:30:10

Mesazh i Kek, në përfundim të Asamblesë së 13-të plenare: “Si të krishterë, guxojmë të shpresojmë”.


(22.07.2009 RV)“Si të krishterë, marrim guxim të shpresojmë!”. Ky është mesazhi, që delegatët e kishave të ndryshme të Evropës: ortodokse, protestante, anglikane e vetero-katolike, të mbledhur nga 15 korriku deri dje, në Lion, për Asamblenë XIII të Konferencës së Kishave evropiane (Kek), i drejtojnë Evropës. “Shpresa – lexohet në tekstin e përbashkët, miratuar në përfundim të takimit të madh - na jep gëzim, paqe, guxim e liri. Na çliron nga frika, na nxit t’i hapim zemrat e të fuqizojmë dëshminë tonë për Zotin e ngjallur. Ne, të krishterët, duhet të shpresojmë në Krishtin, që është burim dashurie, faljeje e pajtimi.
Në mesazh, kishat shprehin edhe një sërë shqetësimesh. “Ndërsa impenjohemi me pasion për një Evropë të bashkuar e të pajtuar, gjë që e presim me padurim – shkruhet – dënojmë prirjen për të ngritur mure të reja, që i ndajnë kombet, kulturat, fetë. Vërejmë se po krijohen përçarje të reja: ndërmjet qytetarëve vendas e mërgimtarëve të sapoardhur; ndërmjet të pasurve e të varfërve; punonjësve e të papunëve; njerëzve që u respektohen të drejtat e atyre që nuk u respektohen, duke shtuar këtu edhe problemet e ndryshimit të klimës e të krizës financiare, për faj të njeriut. E megjithatë, jemi plotësisht të bindur se, si të krishterë, duhet të marrim guximin të shpresojmë edhe në situatat, që duken pa asnjë rrugëdalje. Pohojmë, prandaj, se duhet shpresuar – thekson mesazhi – në sa vijojmë luftën tonë në mbrojtje të vërtetësisë e të drejtësisë. Shpresat lindin sa herë i kundërvihemi çdo forme të dhunës e të racizmit; lindin kur mbrojmë dinjitetin e çdo njeriu, kur punojmë për solidaritetin pa kurrfarë interesi ndërmjet individëve e popujve, kur luftojmë për respektimin e sinqertë të Gjithësisë.
Mesazhi, që Asambleja e përgjithshme u drejton të gjitha kishave anëtare – shkruajnë delegatët e Asamblesë së Kek – është mesazh i guximshëm shprese. Shpresë, që nuk shprehet përmes deklaratave boshe, por përmes akteve konkrete të një feje të gjallë. Pohojmë se kishat duhet të punojnë për mbrojtjen e drejtësisë e t’ua thonë pa frikë të vërtetën njerëzve të pushtetshëm. Kjo do të thotë të sheshosh muret, që ndajnë njerëzit, kulturat e fetë. Kjo do të thotë t’i respektosh e jo vetëm t’i tolerosh, njerëzit e tjerë, që jetojnë pranë teje. E, mbi gjithçka, kjo do të thotë të gjesh mënyra të reja për t’u shprehur solidaritetin më të varfërve, të afërt e të largët.







All the contents on this site are copyrighted ©.