Kardinali Bertone viziton Papën në Lë Kombë. Aosta përgatitet për kremtimin e Lutjeve
mbrëmësore të së premtes.
(22.07.2009 RV)Që prej dhjetë ditësh
Papa po kalon një periudhë pushimi në qetësinë e Lë Kombë të Vale d’Aostës, mes bjeshkëve
të larta të Italisë veriore. Qetësi që u trazua paksa nga pasojat e aksidentit të
së premtes së kaluar, i cili i shkaktoi thyerjen e kyçit të dorës së djathtë, duke
e detyruar të bëjë ndonjë ndryshim në zakonet e në programet e përditshme. Gjithsesi
Papa po kënaqet me bukuritë natyrore, që rrethojnë tëbanen ku kalon pushimet, ndërsa
Aosta përgatitet për pasnesër, kur Benedikti XVI do të kryesojë Lutjet mbrëmësore
në katedralen e qytetit. Mbi këto aspektet e fundit, folëm me drejtorin e Sallës vatikanase
të Shtypit, Atë Federiko Lombardin, me telefon, nga Lë Kombë:
Përgjigje:
- Papa është shëndosh e me humor të mirë. Vijon të mësojë si jetohet me
kyçin e vënë në allçi e është pajisur me një regjistrator të vogël, për t’i diktuar
reflektimet, me që këto ditë nuk mund ta përdorë lehtë pendën. Flet rregullisht në
telefon me të vëllain, me të cilin e dimë se është shumë i lidhur. Pas pak ditësh
i vëllai do të jetë në Kastelgandolfo për të kaluar javët e gushtit së bashku me Papën,
siç e ka bërë zakon këto vjetët fundit. Ati i Shenjtë vijon të bëjë qetësisht shëtitje
të shkurtëra pas dreke e pasdite vonë. Sot erdhi ta vizitojë kardinali Bertone, që
ndodhej ende në Romano Kanaveze e që pasdite do të rikthehet në qytetin e lindjes,
para se të niset për në Romë, nesër paradite. Është takim i zakonshëm: edhe vitet
e kaluara, gjatë verës, kur Papa ishte për pushime në mal, kardinali Bertone erdhi
ta vizitojë, për ta njohur me të rejat, për të reflektuar së bashku mbi problemet
në vijim, që kanë të bëjnë me drejtimin e Kishës. Është një çast vëllazëror, i këndshëm,
në përfundim të të cilit, kardinali Bertone e Papa drekuan së bashku.
Pyetje:
- Afrohet, ndërkaq, takimi i pasnesërm gjatë të cilit, siç e dimë, Papa do të
kryesojë, me klerin vendas, Mbrëmësoret në katedralen e Aostës…
Përgjigje:
- Po, pikërisht sot paradite u mbajt një takim organizativ, për të vendosur
mbi hollësirat e fundit të kremtimit. Papa do të shkojë në Aostë me makinë të mbuluar,
por, në se koha do të jetë e mirë, siç shpresojmë, në Sheshin e Harkut të Augustit
do të pritet nga autoritetet e, më pas, do të kalojë në një makinë të zbuluar, me
të cilën do të përshkojë qendrën e qytetit, duke kaluar përmes Portës së lashtë pretoriane,
për të arritur në katedrale. Lutjet mbrëmësore në katedrale janë për dioqezën, prandaj
do të jenë të pranishëm të gjithë meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, përfaqësuesit
laikë të çdo famullie dhe të organizatave kishtare, rreth 400 vetë, që mund të zënë
vend lehtësisht në katedrale. Papa do të mbajë homelinë; Lutjet mbrëmësore do të thuhen
në gjuhën italiane e në atë franceze – këtu përdoren të dyja gjuhët - e pastaj, si
të përfundojë kremtimi, do të dalë në treme, ku është përgatitur një podium i vogël,
nga i cili do të përshëndesë – pa tekst zyrtar, me sa duket - besimtarët e pranishëm,
që nuk mundën të gjejnë vend në katedrale. Së fundi, duke kaluar nëpër Introd, në
kthim, do të përshëndesë edhe mysafirët, që çlodhen në shtëpinë vendase të pushimit.