2009-07-21 15:27:53

Takimi mes feve të ndryshme, në Krakovi, 70 vjet pas Luftës II Botërore


(21.07.2009 RV)Krerët e feve të mëdha botërore, krerë shtetesh e intelektualë do të takohen në Krakovi nga 6 deri më 8 shtator, me ftesë të Bashkësisë së Shën Egjidit e të kardinalit Stanislao Xhivish. “Fryma e Asizit”, që karakterizon këto takime tradicionale, ku diskutohet mbi marrëdhëniet e njeriut me fenë, kthehet në Poloni, në qytetin ku Papa Gjon Pali II u formua nga pikëpamja kulturore, njerëzore dhe shpirtërore. Liderët botërorë do të marrin pjesë në një shtegtim pa precedent drejt kampit të shfarosjes Aushvic-Birkenau, në shenjë pajtimi e paqeje, për të nënvizuar refuzimin e tyre të plotë ndaj dhunës e luftës si mjet për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare. Ky takim do të jetë edhe rasti për të reflektuar mbi 20 vjetët e dialogut filluar nga Gjon Pali II, në vendet ku ka përjetuar luftën, por edhe përvojën e dialogut përmes njohjes me një shok hebre. Ndoshta pikërisht ato vite në Krakovi qenë të rëndësishme për Papën, të cilit më vonë i lindi ideja e takimeve të Asizit dhe e Ditës Botërore të Lutjes e Agjërimit për Paqen, filluar më 27 tetor 1986. Kujtojmë se në këtë takim do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë nga Shqipëria.







All the contents on this site are copyrighted ©.