2009-07-21 14:45:52

Sot me 21 korrik kujtojmë përvjetorin e lindjes së poetit e albanologut, Martin Camaj


(21.7.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, sot me 21 korrik përkujtojmë përvjetorin e lindjes së poetit e albanologut, Martin Camaj
Poeti e albanologu i shquar shqiptar, Martin Camaj, lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925; vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih të Gjermanisë. Ishte poet, shkrimtar dhe albanolog.
Në Shkodër, në kolegjin Saverian të Jezuitëve, mori edukatë klasike. Kur komunistët e mbyllën kolegjin, Martin Camaj arratiset në 1948 në Beograd ku studioi romanistikën, gjuhët klasike por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhëve sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e shkrimtarit të madh prof. Ernest Koliqit. Këtu njihet nga afër me botën arbëreshe. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku specializohet në gjuhësinë shqipe. Në Munih, Martin Camaj ligjëron letërsinë shqiptare deri në vdekje, më 1992.
Është përfshirë po thuaj se në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Camaj është edhe një ndër albanologët më të shquar, kryesisht me punimet mbi gjuhën shqipe, historinë dhe të sotmen e saj. Ndër studimet kryesore mund të përmendet: Meshari i Gjon Buzukut, Romë 1960; Tekst mësimor i gjuhës shqipe, Wiesbaden 1969; E folmja shqipe në provincën e Avelinos, Firence 1971; Gramatika shqipe, Wiesbaden 1984 si dhe antologjinë e Këngës shqiptare, Dussledorf 1974.
Po përmendim disa titujt të veprave të Martin Camajt
Nji fyell ndër male - Prishtinë 1953
Kanga e vërrinit - Prishtinë 1954
Djella (novelë) - Romë 1958
Legjenda - Romë 1964
Lirika mes dy moteve - Munih 1967
Poezi (1953-1967)- Munih 1967 [1]
Njeriu më vete dhe me të tjerë - 1978 [1]
Poezi 1981 [1]
Drandja (proza poetike)- Munih 1981 [1]
Rrathë (novelë) - 1981
Shkundullima - 1985
Karpa [1] (novelë)- 1987 Poezi 1981







All the contents on this site are copyrighted ©.