2009-07-21 15:29:02

Një vit pas kapjes së kriminelit serbo-boshnjak, Karaxhiç


(21.07.2009 RV)RealAudioMP3 Gjykata ndërkombëtare e Hagës dënoi dje me burgim të përjetshëm dhe me 30 vjet burg, respektivisht kushërinjtë Milan dhe Sredoje Lukiç, dy ish-paraushtarakë serbo-boshnjakë, përgjegjës për krime të tmerrshme, të kryera në periudhën 1992-1994, kundër popullsisë civile myslimane të Vishegradit, në juglindje të Bosnjës. Më 14 qershor 1992, dy kriminelët mbyllën në një shtëpi rreth 70 gra, të moshuar e fëmijë, dhe pasi i vranë, i vunë zjarrin ndërtesës. Presidenti i Gjykatës së Hagës, Patrik Robinson i quajti krimet e këtyre dy kushërinjve “aktet më çnjerëzore që një person mund t’i bëjë tjetrit”.
Po dje, në Sarajevë, Gjykata e Apelit konfirmoi dënimet me 31 dhe 21 vjet burgim për dy serbo-boshnjakë të tjerë, të akuzuar për krime lufte e tortura, të kryera në vitin 1992 në kampin famëkeq të përqëndrimit në Omarska të Bosnjës veriperëndimore. Të akuzuarit të tretë iu ul dënimi nga 11 në 7 vjet burgim.
Qenë imazhet e trupave skelet të Omarskës, të transmetuara në televizion, që ia bënë të njohur botës fushatën e pamëshirshme të spastrimit etnik, të kryer nga forca nacionaliste serbe, të udhëhequra nga lideri politik Radovan Karaxhiç dhe nga gjenerali Ratko Mladiç. Karaxhiç u arrestua në Beograd pikërisht një vit më parë, më 21 korrik, pas 13 vjetësh në klandestinitet. Mladiq kërkohet akoma e moskapja e tij pengon integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
E po sot, në Gjykatën e Hagës u zhvillua dhe një audiencë e procesit kundër Karaxhiçit, i cili akuzohet sidomos për masakrën e Srebrenicës. Cili është roli që pati atëherë Karaxhiçi, e kujtojmë me gazetarin italian Alesandro Marxomanjo, që ndoqi nga afër ato ngjarje:
Një rol themelor: Karaxhiçi ishte presidenti i së vetëshpallurës Republikë serbe të Bosnjës, ndërsa gjenerali Ratko Mladiç ishte kreu ushtarak i saj. Përgjegjësia politike e ngjarjeve të asaj periudhe i takon pa dyshim atij. Karaxhiçi dhe Mladiçi vepronin në bashkëpunim dhe mendonin për një territor boshnjak të spastruar nga myslimanët, të banuar vetëm nga serbët, ku të vazhdonte utopia e tyre mbi “Shtetin serb të Bosnjës”. Kujtoj që rrethuan Sarajevën për njëmijë ditë, qëlluan me artileri dhe çetnikë mbi popullsinë e pambrojtur, e më pas, akti përfundimtar, qe masakra e Srebrenicës në korrik të vitit 1995.
Si reagoi atëherë bashkësia ndërkombëtare?
Srebrenica qe masakra më e tmerrshme në Evropë, pas Luftës II Botërore: pati nga 6 mijë deri në 7 mijë të vdekur dhe shkaktoi reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Më vonë, u përvijua edhe situata në Kroaci, Bosnjë e Serbi, që çoi në marrëveshjen e Dejtonit, nënshkruar në dhjetor të atij viti.
A mund të themi sot, se Karaxhiçi veproi në lidhje të ngushtë me autoritetet serbe?
Gjithçka na bën të themi se ky pohim është i saktë. Serbëve të Bosnjës u vinin direktivat nga Beogradi dhe vetë gjenerali Mladiç paguhej nga Armata federale Jugosllave për gjithë periudhën, në të cilën ishte komandant i serbëve të Bosnjës. Prandaj, që ekzistonte një lidhje e ngushtë ndërmjet Beogradit dhe Pales, kryeqytetit të Republikës së vetëshpallur serbe të Bosnjës, është fakt.
Drejtësia ndërkombëtare, a mund të bëjë diçka për këto urrejtje etnike, që shkaktuan luftën civile e që ndoshta edhe sot, janë nën rrogoz?
Prania e trupave ndërkombëtare në ish-Jugosllavi bën që të mos rindizen konfliktet. Drejtësia, pa dyshim, na ndihmon që të krijojmë një lloj kompensimi dhe të ulim tensionet. Nëse kjo do të jetë vendimtare për pajtimin e Ballkanit, mendoj se do të shihet vetëm pas disa vjetësh.







All the contents on this site are copyrighted ©.