2009-07-21 16:24:21

Diplomacia amerikane e impenjuar në Evropë dhe në Azi.


(21.07.2009 RV)Diplomacia amerikane është në ofensivë të plotë për të përforcuar lidhjet e vjetra e për të krijuar të reja me superfuqitë që po dalin në skenë. Në këtë kuadër duhen parë misionet që po zhvillojnë zëvendëspresidenti Bajden në Ukrainë dhe Gjeorgji dhe sekretarja e shtetit Hilari Klinton në Indi dhe Tajlandë, ku po zhvillohet një takim i nivelit të lartë të ASEAN – takim ku marrin pjesë vendet e Azisë juglindore me synim garantimin e stabilitetit ekonomik dhe politik të krejt zonës. Mbi objektivat e politikës së jashtme të administratës Obama në mikrofonin tonë flet Masimo Teodori, docent i historisë amerikane pranë Universitetit të Peruxhës. Ta ndjekim:

Përgjigje: India është strategjike sepse në një farë mase vepron si kundrapeshë e Kinës nga njëra anë, dhe e botës islamike, nga ana tjetër. Për me tepër ka edhe diçka që e bën të afërt me Amerikën, domethënë India është një vend i madh demokratik dhe kështu që India është një zgjidhje në strategjinë e re të dialogut botëror.

Pyetje: Udhëtimi i zëvendëspresidentit Bajden në Ukrainë dhe pastaj në Gjeorgji a rrezikon t’i ringjallë tensionet që janë ende shumë të forta...

Përgjigje: Dy çështjet e hapura ndërmjet SHBA dhe Rusisë janë, e para ajo mbi mbrojtjen nga raketat dhe e dyta ajo e hyrjes së Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO. Asnjë nga këto probleme nuk është zgjidhur dhe SHBA janë të gatshme për të bërë kompromisa nëse Rusia, mbi të gjitha, do të ishte gati për të lejuar nëpër territorin e saj kalimin e furnizimeve ushtarake për në Afganistan.

Pyetje: A ka në politikën e jashtme të administratës së re njëfarë vazhdimësie me politikën e jashtme të kaluar?

Përgjigje: Ka vazhdimësi dhe ndryshime. Vazhdimësi në kuptimin se Obama vazhdon ende, si në historinë e SHBA dhe në pozicionin e saj ekonomik dhe ushtarak, një strategji të udhëheqjes ndërkombëtare si fuqi hegjemoniste. Në këtë kuptim ka një vazhdimësi me Bush-in. Sidoqoftë, instrumentet e kësaj strategjie janë të ndryshme, sepse Bush mendonte mbi të gjitha për politikën e njëanëshme. Përkundrazi Obama, përpiqet t’i ndjekë interesat e veta kombëtare të një fuqie hegjemoniste duke e vënë një theks më të madh tek mjetet politike dhe diplomatike më shumë sesa tek ato ushtarake.







All the contents on this site are copyrighted ©.