2009-07-20 18:04:02

Rritet alarmi për gripin e derrave


(20.07.2009 RV)RealAudioMP3 Në Indi, janë gjetur sot 17 vetë të infektuar me gripin e derrave, duke e çuar kështu në 285 numrin e rasteve. Më i vogli është një fëmijë 11 muajsh. Në Egjipt vdes një grua, e sapokthyer nga Meka. Edhe në Shqipëri rastet e dyshuara vazhdojnë të rriten, por jo me shpejtësinë e vendeve të tjera. Megjithatë, vendi nuk është i përgatitur për pandeminë. Nga Instituti i Shëndetit Publik njoftohet se dozat me Tamiflu, ilaçi me të cilin kurohet sëmundja, nuk janë të mjaftueshme. Të infektuar ka edhe në vendet e tjera të Ballkanit, por pa dyshim më e prekura është Greqia, me mëse 300 raste. Në shtator, qeveria e Athinës dëshiron të vaksinojë të gjithë fëmijët nën moshën 15 vjeç.
Ndërkaq, Anglia ka vendosur kontroll të rreptë për të gjithë udhëtarët, të cilët mund të bllokohen në aeroporte, nëse dyshohen për sëmundjen e gripit të derrave. Gjithsesi, ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë këshillojnë të mos blihen ilaçe antivirale pa kriter, pasi ky grip nuk është më i rrezikshëm se gripi i zakonshëm dimëror. Të dëgjojmë drejtorin e Shërbimeve Shëndetësore të Vatikanit, prof. Xhovani Roki:
Jemi pak përballë së papriturës, e cila është gjithsesi relative, pasi ka shumë precedentë për faktin se dalja e një lloji të ri virusi shkakton valë epidemike edhe jashtë sezonit të zakonshëm, që është ai dimëror.
Të japim shembullin e Italisë. Sa persona humbin jetën për ndërlikime, në rastin e gripit?
Vlerësohen rreth 3000/5000 raste vdekjeprurëse, por natyrisht ndër miliona të sëmurë. Prandaj vdekshmëria është mjaft e ulët. Natyrisht, përhapja e sëmundjes është e tillë, që më pas të verifikohen edhe vdekje.
Gjatë ditëve të kaluara u tha të shtyhet hapja e shkollave. A ka kuptim kjo, sipas jush?
Ky është një lajm që vjen nga vende të tjera, nga Evropa veriore, që e fillon shkollën në ditët e para të shtatorit. Prandaj, një vend në mes të epidemisë, siç është Anglia, natyrisht është i justifikuar për një vendim të tillë. Por në vendet ku epidemia nuk është përhapur shumë, nuk ka kuptim.
Duhet të presim arritjen e majës më të lartë të sëmundjes nga fundi i gushtit?
Nuk ka elemente për këtë e në këtë moment, popullsia është e shpërndarë në vendet e pushimit. Këtu, probabiliteti i infektimit është më i vogël e në përgjithësi, sezoni veror nuk e favorizon qarkullimin e virusit gripal.
Pra, nuk duhet të alarmohemi e nuk duhet të shkojmë me vrap për të bërë vaksinën?
Vrapi drejt vaksinës është krejtësisht i kotë, pasi derisa të mos jetë gati e të mos jetë provuar efikasiteti dhe siguria e saj, pra derisa të mos shihet se efektet dytësore janë minimale, vaksina nuk do të vihet në qarkullim.







All the contents on this site are copyrighted ©.