2009-07-20 19:50:35

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast i prekut nga gripi A(H1N1)


(20.7.2009 RV)Shqipëria nuk është prekur nga virusi i gripit A (H1N1), por nisur nga fakti se vendi ynë është i rrethuar nga shtete fqinje ku ky virus është është prezent, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo u shpreh të hënën se "mund të themi se pandemia po na troket tek porta".
Znj. Godo inspektoi sot pasdite urgjencën e Tiranës, duke e vlerësuar këtë shërbim si shumë të rëndësishëm pasi është pritësi i parë i pacientit dhe që vendos për atë që do të bëhet më pas me të. Ajo bisedoi me drejtuesit dhe stafin mjekësor të Urgjencës mbi masat e marra lidhur me situatën e virusit A (H1N1), me qëllim që shërbimi të jetë në efiçencë dhe cilësinë më të plotë.
Ministrja e Shëndetësisë informoi për mediat se strukturat shëndetësore në të gjithë vendin kanë rritur vigjilencën për kapjen e hershme të virusit A (H1N1), i njohur ndryshe si gripi i derrit, ndërsa siguroi se autoritetet shëndetësore në vend disponojnë antiviralin "Tamiflu". Ajo nënvizoi se nga shfaqja e këtij virusi në botë, në Shqipëri janë analizuar rreth 80 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative.
"Duke marrë parasysh faktin se jemi të rrethuar nga shtete, ku është prezent pandemia dhe duke qenë se jemi në periudhën e verës, që shoqërohet me lëvizje të shumta të popullatës në vend apo emigrantëve, mund të themi se pandemia po na troket tek porta", theksoi ministrja Godo.
Udhëzimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë të rritet vigjilenca lidhur me rastet e dyshuara me grip në përgjithësi, si dhe për gripin A (H1N1) në veçanti. Tashmë, virusi nuk mund të ndalohet në kufij, ndaj edhe gjatë sezonit të verës, specialistët e ISHP-së po bëjnë survejancën e gripit. Marrja e monstrave për analizimin e rasteve tashmë është shtrirë jo vetëm në spitale, por dhe tek mjekët e familjes.
Ditët e fundit, mjekët e familjes janë trajnuar për marrjen e monstrave të virusit A (H1N1) dhe vendosjen e tyre në kushte laboratorike të konservuara.
Në Spitalin Infektiv, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, janë siguruar ambiente të veçanta në rast të shfaqjes së virusit në vend. Ndërkohë, gjatë kësaj jave në çdo pavion do të sigurohet një dhomë e veçantë për izolimin e përkohshëm nëse ka raste të tilla. QSUT ka sasinë e nevojshme të tamiflusë, por edhe gjithë preparatet e tjera ndihmëse për veprim në rrugët respiratore, apo që janë pjesë e medikimit të përgjithshëm të pacientëve.
Nga ana tjetër, specialistët e shëndetit publik u bëjnë apel qytetarëve të mos shqetësohen, por dhe të mos neglizhojnë rekomandimet e mjekëve. Në rast të shfaqjes së shenjave gripale, specialistët rekomandojnë se qytetarët duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku.Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.