2009-07-20 19:56:21

Më 20 korrik të vitit 1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës Sapës.


(20.7.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, përkujtojmë se si sot më 20 korrik të vitit 1621 dom Pjetër Budi emërohet ipeshkëv i dioqezës së lashtë shqiptare të Sapës e Sardës.
Imzot Pjetër Budi u lind në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit, në vitin 1566. Formimin e tij meshtarak dhe studimet filozofike e teologjike i bëri në Kolegjin Ilirik të Loretos dhe në moshën 21 vjeçare u shugurua meshtar dhe menjëherë u dërgua të shërbente me mision në Maqedoni e Kosovë që aso kohe ishin nën juridiksionin kishtar të kryedioqezës së Antivarit, ( Bari i sotëm në Mal të Zi), ku ndjeji për 12 vjet.
Gjatë qëndrimit dhe misionit të tij meshtarak në Kosovë, dom Pjetër Budi hyri në kontakt me françeskanët e Bosnjës, një marrëdhënie kjo që i shërbeu në vitet e mëvonshme e në përpjekjet e tij politike për të krijuar mbështetje e ndihma për rezistencën shqiptare kundër pushtimit të Perandorisë Osmane. Në vitin 1599, dom Pjetër Budi qe emëruar Vikar i Përgjithshëm i Kishës katolike të Serbisë, detyrë e rol të cilin e mbajti për 17 vjet.
Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, Budi veproi pa dyshim në një situatë politike teje të vështirë e me tensione të mëdha, aq më tepër kur e konsiderojmë angazhimin e tij politik për kauzën shqiptare, sepse Budi synonte lirimin e popullit të vet nga pushtimi e trysnia turke. Për këtë ai pati kontakte me figura të mëdha të rezistencës siç ishte kroati Franjo Brtuçevic e kryengritësit shqiptarë.
Në vitin 1615 dom Pjetër Budi shkon në Romë ku ndenji deri më 1618 për t’i botuar veprat e tij në gjuhën shqipe. Nga marsi i vitit 1618 e deri në shtator të vitit 1619, Budi shkoi në shtegtim në Santiago të Kompostelës në Spanjë. Pasi u kthye në Romë në vjeshtë të vitit 1619 u angazhua të informonte Kurien Romake mbi gjendjen e mjerueshme të të krishterëve në Shqipëri e në vise tjera të Ballkanit nën pushtimin turk. Prandaj kërkoi ndihma materiale e financiare për të mbështetur rezistencën që synonte çlirimin nga zgjedha turke.
Më 20 korrik të vitit 1621, Pjetër Budi u emërua ipeshkëv i Sapës e Sardës e një vit më vonë e nisi misionin e tij ipeshkvnor në Shqipëri, ku kryesisht zhvilloi aktivitete të natyrës atdhetare e politike. Në dhjetor të vitit 1622 duke kaluar lumin Drin, humbi jetën. Vdekja e tij tragjike mbetët një enigmë.
Po kujtojmë veprat e tij. Vepra e parë e ipeshkvit shqiptar imzot Pjetër Budit qe “Doktrina e Kërshtenë” që është përkthim i katekizmit të Shën Boberto Bellarminit, botuar në Romë më 1618. Nga aspekti letrar, më shumë se katekizmit, janë me interes 53 faqet e poemave fetare, që përbëjnë shembullin e parë të poezisë në dialektit Gegë. Disa prej poemave janë përkthim nga latinishtja ose italishtja mirëpo një pjesë e mirë janë origjinale.
Disa botime tjera të Imzot Budit qenë: Rituali Romak, një përmbledhje me ritin e Meshës, të sakramenteve të ndryshme, të lutjeve e komenteve të pjesëve biblike në gjuhën shqipe.
Pastaj kemi edhe një përmbledhje prej 16 faqesh mbi shpjegimin e Ritit të Meshës. Po vepra më e njohur e imzot Pjetër Budit është “Pasqyra e të Rrëfyemit”, përkthim e adaptim i veprës “Speculum Confessionis” e Emerio de Bonis.
Imzot Pjetër Budi është poeti i parë shqiptar që shkroi vargje, afër 3.300 rreshta vargjesh fetare në kuartinë me rimë të alternuar.

 LAUDANS INVOCABO DOMINUM

I madhi Zot qofsh lëvduom: për gjithë kaqë të mirë,
Q’i s’e kam u merituom; me ndonjë shërbëtyrë
Këtë kafshë me mbaruom; që paçë si detyrë.
Natë e ditë tue shkruom; zemëra më gjet të lirë,
Shokëvet me ua dërguom; sikur një pasëqyrë,
Ndë të cit tu’ shukuom: të nkthenjënë ma mirë,
Fenë me lulëzuom: kishënë me shërbëtyrë,
Popullinë me ndihmuom; për gjithë ditë të mirë,
Qi të jenë shëlbuom: n teje me gjet të lirë
O Zoti im i ngushëlluom: mbë qjellt aq i mirë,
Qi s’mundenë me u thanë: as ndë mend me u kujtuom,
Atje lavdetë qi janë: nd’atë paq të ngushëlluom
Mijë vjet me qenë nxanë: natë e ditë tue shkruom,
E shekulli anë e pranë: me folë e me ligjëruom
Njëqind pjesësh një me thanë: e fort (t)ue u munduom
S’keshe me u gjetm i tanë: të njëqindënë me shkruom
Jashtë Diellit me hanë: e yjtë panumuruom
Me të cit anë e pranë: qielltë janë rrethuom,
Jashtë engjishit qi janë: gjithaqë të ngushulluom
Ushëtri aqë e tanë: gjithë qielltë mbuluom
Jashtë shintënish n cë tanë: qi s’kanë të numuruom,
Gjithë shekulli me thanë: e me folë e me ligjëruom,
Me të cit anë e pranë: shekulli ashtë rrethuom,
E qielltë gjatë e gjanë: e trajtuom e lulëzuom,
Po pa vini roe mbi: Kush mund me e kallëzuom
T’atinë zotëni: aq tepërë nalcuom?
Ku të gjindej njeri: gjithaq i parequom,
Ka del djelli e rri: kurrë me mos pushuom
Atë lavd përpara ti: të mundën me kallëzuom.
Ndo vendnë atje ke rri: aqë bukurë trajtuom
Ke dëshëronjënë engji: e shintënë të lëvduom
T’atinë perëndi: me sy me e shukuom,
Jo se afërë ungji: ndë dritet me ju afruom,
Ndonjë fjalë për mëngji; me ta me e ligjëruom,
Jashtë virgjënet Mëri: qi ashtë shpëresa jonë,
E lumnja ama e ti: bashkë ende me të shën Gjonë
Qi me gjetunë mëngji: të mjerëtë ndë e vonë
Ndër t’atiat regjëni: të jetë jeta jonë,
E parrisi i ti: kurti e bashtina jonë,
Për gjithë jetë e jetësë. Amen







All the contents on this site are copyrighted ©.