2009-07-20 20:31:05

Me 20 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Elinë Profet


(20.7.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin, me 20 korrik Kisha përkujton Shën Elinë Profet.Elia, që do të thotë “Zoti im është Jahve”, lindi aty nga fundi i shekullit X para Krishtit dhe e zhvilloi pjesën kryesore të misionit të tij nën mbretërinë e Akabit (873-854), njeri i ligsht, që kishte imponuar kultin e Baalit. Elia u paraqit para mbretit dhe i kumtoi se vendi do të ndëshkohej me tri vjet thatësirë. Si ra kjo shuplakë mbi Palestinën, u kthye rishtas tek mbreti për ta bindur se Baali ishte idhull e jo Zot. Për këtë sfidoi 400 profetë të idhullit mbi Malin e Karmelit.
Kur mbi elterin e Elisë u ndez mrekullisht flaka e më pas nisi menjëherë shiu duke i dhënë fund thatësirës, populli i mbyti priftërinjtë idhujtarë. Por Elisë iu desh të ikte rishtas për shkak se Akabi ishte bërë vegël në duart e së shoqes, Jezabelës, me origjinë fenike. Ajo e kishte shtyrë të përkrahte më parë e pastaj edhe të impononte kultin e Baalit. Elia nuk vdiq: u rrëmbye nga një karrocë prej flakësh, prandaj hebrenjtë prisnin kthimin e tij për kohët mesianike.
Rrëmbimi i tij dëshmoi se fitorja e së mirës mbi të keqen arrihet me durim e se vetëm Zoti është sundimtari i kohës.
Qe thënë për Shën Gjon Pagëzuesin e për vetë Krishtin se ishin Elia i ringjallur.







All the contents on this site are copyrighted ©.