2009-07-20 19:03:36

Kremtohet 50-vjetori i Konferencës së Kishave të Evropës. Bartolomeu I propozon bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Kishave.


(20.07.2009 RV)“Një anije e madhe, në mes të detit”. Me këtë figurë u hap dje pasdite, në Lion të Francës, kremtimi i 50-vjetorit të Konferencës së Kishave të Evropës. 50 vjet histori – tha ish-kryetari i Kek, pastori Zhan-Arnold De Klermon, duke hapur kremtimin. Është kohë për t’u penduar, por edhe për të shpresuar, sepse, falë hirit të Zotit, jemi gati për të rifilluar udhën.
Kremtimi u mbajt gjatë Asamblesë XIII të Përgjithshme të Konferencave të Kishave të Evropës (Kek), që përfundoi sot paradite, gjithnjë në Lion. Në qendër të vëmendjes gjatë punimeve, ishte zgjedhja e grupit të punës i cili do të ketë si detyrë të hartojë, deri në vitin 2011, një propozim për rishikimin e plotë të strukturës së Kek.
Patriku Ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, gjatë punimeve të asamblesë, preku temën e ardhmërisë së lëvizjes ekumenike në Evropë. Lidhur me këtë – tha ai -ne nënvizojmë se bashkëpunimi ndërmjet Kek (Konferencave të Kishave të Evropës) dhe Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, ishte jo vetëm i nevojshëm, por edhe me vlerë të madhe për të ardhmen. Për ta përmirësuar këtë impenjim ekumenik, ne propozojmë të vemë në jetë një bashkëpunim më të mirorganizuar ndërmjet këtyre dy organizmave.
Kisha katolike nuk bën pjesë në Kek, ndonëse ka lidhje të ngushta me të. Të parashikosh hyrjen e Kkee në Kek - tha patriku – duhet të organizosh punime paraprake e të hartosh emendamente të rregulloreve, që lidhen me këtë problem. Patriku nënvizoi edhe se vetëm duke realizuar një bashkëpunim më të ngushtë të Kishave, krijohen mundësitë për të promovuar një dialog më të thellë ndërmjet Kishave të Evropës me institucionet evropiane e me Bashkimin Evropian.
E ardhmja e Evropës së re, që po ndërtohet pa vlera shpirtërore e kristiane – theksoi Partriku – paraqitet e trishtuar dhe e paqartë.
Gjatë diskutimeve të shumta, u shpreh mendimi se është plotësisht e mundshme të krijohet një këshill i të gjitha Kishave kristiane të Evropës, një vend, rreth të cilit të mblidhen e të takohen të gjithë të krishterët e Kontinentit të Vjetër, për t’i përcjellë një mesazh të njëzëshëm shoqërive evropiane.
Urimi i përgjithshëm ishte: “Ta lusim Zotin që të gjithë të jemi një gjë e vetme!”. E kjo do të thotë se vetë Zoti i thërret Kishat e krishtera të bashkohen, sepse kështu mund ta ndihmojnë jo vetëm Evropën, por mbarë botën, për të përballuar sfidat e panumërta e të ndërlikuara, edhe me karakter etik e shoqëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.