2009-07-20 18:04:14

Iran:reformistët kërkojnë referendum mbi Ahmedinexhadin


(20.07.2009 RV)RealAudioMP3 Irani gjithnjë e më tepër në vorbullën e problemeve. Një grup reformistësh, të udhëhequr nga ish-presidenti Mohamad Khatami, kërkoi sot organizimin e një referendumi mbi zgjedhjet e fundit, duke nënvizuar se “miliona iranianë kanë humbur besimin tek procesi zgjedhor”. Mbi bazën e Kushtetutës së Iranit, vetëm udhëheqësi suprem, ajatollahu Ali Khamenei mund të japë udhërin për referendumin, por sot Khamenei vazhdoi të akuzojë të ashtuquajturit “armiq të jashtëm” për protestat, që pasuan zgjedhjet presidenciale të 12 qershorit. A ka gjasa që të bëhet ky referendum? Pyetëm pedagogun e Gjeopolitikës, të kulturës dhe të qytetërimit të Lindjes së Mesme në Universitetin katolik të Zemrës së Krishtit në Milano, Rikardo Redaeli:
Për momentin duken të pakta. Nuk e di madje nëse një referendum mbi rezultatet e zgjedhjeve është i pranueshëm, apo jo. Është interesant të vërehet se një pjesë gjithnjë në rritje e klerit shiit e sheh me shqetësim rrugën që ka marrë Republika Islamike e Iranit e sidomos, kritikon gjithnjë e më me vendosmëri veprimet e Rahbarit, apo të udhëheqësit suprem, ajatollah Khamenei. Një udhëheqës që ka edhe funksionin e arbitrit, të ndërmjetësuesit në mosmarrëveshje, por që e ka tradhëtuar këtë detyrë duke mbështetur pa rezerva Ahmadinexhadin.
Sot, Khamenei akuzoi sërish “armiqtë e jashtëm”…
Akuza e ndërhyrjes, e komploteve të jashtme është një nga temat më të preferuara për Ali Khamenein dhe ultraradikalët. Ata shkatërruan lëvizjen reformiste në Iran, e cila ka pasur presidencën nga 1998 deri më 2005, duke ushqyer pikërisht frikën për ndërhyrje të jashtme. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se ekziston një vëmendje e jashtëzakonshme për ç’ndodh në Iran, për arësye të rolit të vendit në Lindjen e Mesme, për programin bërthamor, për të cilin iranianët nuk flasin hapur etj.. E gjithë kjo tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, por u ofron konservatorëve argumenta për të akuzuar reformistët dhe ata që kundërshtojnë manipulimet e zgjedhjeve si “të dërguar nga Perëndimi”, armiq të Republikës Islamike.







All the contents on this site are copyrighted ©.