2009-07-20 19:01:11

Atë Lombardi: rrugëzgjidhja më e mirë për Papën, ndërhyrja e vendosur e mjekëve të Aostës


(20.07.2009 RV)RealAudioMP3 Papa nisi javën e dytë të pushimeve në Lë Kombë të Vale D’Aostës. Por, si po vijon kjo periudhë pushimesh? Të dëgjojmë, për këtë, drejtorin e Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: - Vijon shumë mirë. Sot është një ditë e qetë, koha është me të vërtetë e shkëlqyer e, ndërmjet tjerash, Papa, duke u kthyer dje me helikopter nga Romano Kanaveze, mundi të sodiste panoramën madhështore mbi Alpet e Vale D’Aostës, pamje vërtetë të jashtëzakonshme. Natyrisht e sotmja është ditë pushimi, pas së djeshmes, plot veprimtari, që kaloi me të vërtetë mirë e për të cilën edhe vetë Papa mbeti shumë i kënaqur.

 
Pyetje: - E parashikimet për ditët e ardhshme?

Përgjigje: - Janë ato të një pushimi shumë të qetë, pa impenjime ose lëvizje jashtë mjedisit të pushimit. Parashikohet kremtimi i Lutjeve Mbrëmësore në katedralen e Aostës të premten pasdite, në orën 17. 30, së bashku me meshtarët e dioqezës e edhe me përfaqësues të famullive të ndryshme: rreth 400 vetë, me të cilët Papa do të kremtojë një çast shumë të bukur lutjeje. Pastaj, të dielën, takimi për Engjëllin e Tënzot pikërisht këtu, pranë selisë ku pushon Papa.

Pyetje: - Kemi ndjekur në shtyp disa intervista të mjekëve, të cilët ndonjëherë patën edhe ngurrime në përgjigjet lidhur me ndërhyrjen që iu bë Papës…

Përgjigje: - Do të thosha se tipi i ndërhyrjes dhe mënyra si u bë u vendosën pas një reflektimi të vëmendshëm të njerëzve kompetentë, duke pasur mirë parsysh, siç është e natyrshme dhe e drejtë – njohjen e drejtpërdrejtë të të sëmurit si dhe rrethanat konkrete. Duhet vërejtur se opinionet e ndryshme, që u shprehën nga mjekët, janë të karakterit paksa teorik, në kuptimin se nuk mund t’i kenë plotësisht parasysh elementet kryesore të njohjes së drejtpërdrejtë të pacientit, të situatës e të rethanave në të cilat gjendet, që janë elemente vendimtare për një operacion, si ky që u realizua. Besoj, mund të kemi besim të plotë se, në situatën konkrete, ishte vendimi më i arsyeshëm e më i mirë, që mund të merrej e se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.