Vatikani e Rusia po shkojnë drejt normalizimit të marrëdhënieve diplomatike.
(18.07.2009 RV)Kështu shprehet kryeipeshkvi i Moskës, imzot Paolo Peci, në
një intervistë për gazetën “L’Osservatore Romano”, organ i Selisë së Shenjtë. Në vend,
thekson imzot Peci, perceptohet një përmirësim i dukshëm në marrëdhëniet ndërmjet
Kishës Katolike dhe pushtetit civil, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal.
Kjo gjendje i rrit shpresat për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike ndërmjet
Selisë së Shenjtë dhe Federatës Ruse. Kryeipeshkvi shpjegon në veçanti se cilat
janë këto sinjale pozitive, si për shembull, njohja e bashkësisë katolike në nivele
të ndryshme, favorizimi i qëndrimit në vend të meshtarëve katolikë, sidomos të atyre
me origjinë të huaj, bashkëpunimi përsa i përket vendeve të kultit etj.. Nga ana e
autoriteteve, thekson imzot Peci, ekziston vullneti i mirë për t’u ulur në tryezën
e bisedimeve me katolikët. Gjithsesi, kryeipeshkvi i Moskës nuk harron se në
disa pika, dialogu është akoma problematik. “Në nivelin lokal – specifikon ai – kemi
një përgjigje të diferencuar: në disa bashkësi ka sinjale pozitive bashkëpunimi, në
të tjera vazhdojnë vështirësitë. Megjithatë, atje ku ka vështirësi, regjistrojmë një
interesim më të madh të pushtetit politik qendror”.