(18.7.2009 RV) Më 19 korrik, Kisha kremton të Dielën XVI gjatë vitit kishtar,
ciklit të dytë, sipas kalendarit Kishtar, e po më 19 korrik kalendari kishtar përkujton
edhe Shën Makrinën, motra e Bazilit të Madh, Gregorit të Nisës dhe Pjetrit të Sebastes
e Shën Simakun, papë. Jeta e këtyre shenjtorëve na kujton se dashuria e Atit dhe
Birit Hyjnor i zbulohet vetëm njeriut që bëhet i ‘vogël’ e ecën pas Krishtit në Udhën
e Kryqit, me bindjen se Zoti nuk i lëshon kurrë dore besnikët e vet.
Të
hënën, me 20 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Apolinarin, ipeshkëv
i Ravenës e martir, Shën Elinë profet dhe Shën Aurelin, ipeshkëv i Kartagjenës.
Liturgjia e festës së tyre na kujton se Krishti i fton të gjithë njerëzit e shtypur
e të nëpërkëmbur, të gjithë ata që janë të lodhur nga fjalët e nga premtimet boshe,
të shkojnë tek Ai dhe në Të që është zemër butë e i përvujtë, të gjejnë paqen e vërtetë
të shpirtit, atë paqe e realizim të jetës që bota nuk di e nuk mund ta japë.
Të
martën me 21 korrik , kalendari kishtar përkujton Shën Lorencin nga Brindizi,
meshtar kapuçin, doktor i Kishës, Shën Praseden romake dhe Shën Ezekielin, profet.
Jeta e tyre na kujton se fariseizmi është një sëmundje tinëzare që e dëmton rëndë
fenë e vërtetë në Zotin: atij njeriu që ka uri, i jep rregulla, atij që ka etje, i
jep fjalë të thata. Vetëm ai që e ka provuar mëshirën e Zotit di t’i lexojë e t’i
kuptojë Shkrimet Shenjte dhe situatat e përditshme të jetës njerëzore duke zbuluar
gjurmët e Mësuesit Hyjnor. Të mërkurën e ardhshme me 22 korrik, kalendari
kishtar përkujton Shën Marinë Magdalenë, nxënëse e Krishtit, që jetoi me moton:
Shpirti im ka etje për ty, o Zot’. Si Nusja e ‘Këngës së Këngëve’, Maria kërkon, pa
gjetur prehje, Atë që e do me gjithë zemër. Dënesa e saj pranë varrit të Jezusit,
pas takimit me të Ngjallurin shndërrohet në britmën e gëzimit: “Kam parë Zotin!”. Të
enjten me 23 korrik kalendari Kishtar përkujton Shën Brigjidën, Pajtore Qiellore
e Evropës. “Dashuria ime është i Kryqëzuari” ishte motua e saj. Karizma e Shën
Brigjidës ishte lavdërimi i përhershëm i Hyjit, dhurimi i jetës për shpërblim të mëkateve
dhe bashkimi i Kishës. I mëson gratë e kohëve tona ta çojnë dashurinë e Krishtit në
të gjitha fushat e shoqërisë.
Ndërsa të premten e ardhshme 24 korrik,
kalendari kishtar do të kremtojë festën e Shën Sharbel Maklufit, meshtar dhe të
Shën Kristinës virgjër. Liturgjia e kësaj dite na kujton se është e kotë të presim
mrekulli nga Zoti, kur e kemi humbur nga sytë shenjën e dashurisë Hyjnore, që është
Krishti. Të shtunën me 25 korrik, kalendari kishtar kremton
festën e Shën Jakut të Madh, Apostull e të Shën Kristoforit, martir. Liturgjia
e kësaj dite na kujton se synimi dhe dëshira për të zënë vendet e para, për të arritur
në pushtet, i tundon edhe Apostujt si të gjithë njerëzit. E Shën Jaku e zë vërtetë
një vend të parë: është i pari që jep jetën për Krishtin. Të dielën e ardhshme
më 26 korrik, sipas kalendarit, Kisha do të kremtojë të dielën e 17-të gjatë
vitit kishtar e po me 26 korrik përkujton festën e Shën Joakimit e Shën Anës,
prindërve të Zojës së Bekuar, të gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të
drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë.