2009-07-18 10:40:02

Papa është mirë. Nesër shkon në Romano Kanaveze për Engjëllin e Tënzot


(18.07.2009 RV)Papa Benedikti XVI kaloi një natë të qetë, pas aksidentit që e çoi dje në spitalin e Aostës, ku i vunë në vend kyçin e thyer të dorës së djathtë. Është konfirmuar edhe vizita e tij e nesërme në Romano Kanaveze, vendlindja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone. Pikërisht në shtëpinë atnore të tij, Papa do të shkojë për vizitë e do të takohet me krejt familjen e përbërë nga rreth 40 vetë, mes vëllezërve, nipave dhe stërnipave të kardinalit.
“Nuk është hera e parë që shohim Papën – tregon vëllai i kardinal Bertones, Valeriano. Kur im vëlla u bë kardinal, Ati i Shenjtë na priti të gjithëve në Kastelgandolfo, por sigurisht është gjithnjë një emocion i thellë, megjithëse na vjen keq që nuk mund të jetë babai, i cili ishte shumë fetar e do ta kishte vlerësuar thellë vizitën e Shenjtërisë së Tij, nuk do të jenë nëna e katër vëllezër që s’janë më mes nesh. Do të na mungojë edhe Paolo, më i madhi, që fatkeqësisht nuk është mirë e prej tre muajsh është i shtruar në spital”.
Papa do të shkojë në Romano Kanaveze me helikopter nga Vale d’Aosta, pastaj, pasi të përshëndesë fëmijët e të sëmurët në kishën famullitare do të thotë Lutjen e Engjëllit të Tënzot në sheshin Ruxhia e në këmbë, do të shkojë në shtëpinë atnore të kardinalit-sekretar të Shtetit të Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.