2009-07-18 10:28:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 16-të gjatë vitit ‘B’


(18.7.2009 RV)RealAudioMP3 Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Tema kryesore e leximeve biblike të liturgjisë Hyjnore të kësaj së diele është kjo: vetëm Krishti Zot është bari i vërtetë e shpëtimtar i vetëm i njerëzimit. Jezusi pra është Bariu që i jep bashkim e paqen grigjës së besimtarëve të vet, Ai plot përdëllim përkujdeset për grigjën e tij.
Të dielën e kaluar, nga Ungjilli i së dielës së 15-të dëgjuam e pamë se si Jezusi e dërgoi grupin e parë të apostujve, dy nga dy në misionin e shpalljes së Mbretërisë së Zotit. Këtë të diele të 16-të, Ungjilli na flet për kthimin e të Dymbëdhjetë Apostujve nga misioni e “mbledhjen e tyre përreth Jezusit, të cilit i treguan gjithçka kishin bërë e mësuar”. Por Ungjilli i kësaj së diele e vë theksin mbi misionarin e vërtetë të përdëllimit të Hyjit, mbi bariun e vërtetë që për grigjën e vet është i gatshëm të jap jetën e vet, e ky është Jezu Krishti, e vetëm Ai. Të tjerët, këndej edhe ne me të tjerët, jemi bashkëpunëtorë, pra është Ai e vetëm Ai, Krishtit Jezus, që merr nismën, që ngushëllon, që shpëton. Edhe sot përmes kësaj liturgjie të shenjtë.
Në Ungjill, Jezusi i fton nxënësit e vet, të lodhur nga misioni i predikimit të Mbretërisë së Hyjit, të shkojnë me Të në një vend të vetmuar, për të pushuar e për t’i formuar sipas zemrës së vet. Mirëpo shumë shpejt, shumë njerëz u nis në kërkim të Mësuesit Hyjnor dhe arritën tek Ai.
Jezusi pa një mori të jashtëzakonshme njerëzish të çorientuar, pa udhëheqje, si delet pa bari, pa cak, të braktisura. E Jezusi prekën thellë në zemër e përmallohet për gjendje e mjerueshme të njerëzimit të braktisur e të pa cak, e pa i lënë anash nxënësit, kujdeset për morinë njerëzve. Jezusi e di se, më tepër se për bukë e shërim të trupit, këta njerëz kanë nevojë për një zë që t’i ngushëllon, për një fjalë shprese, për një person që t’i duaj.
Shën Pali Apostull, në leximin  e dytë të kësaj së diele, e paraqet Jezusin si Atë që e bashkon popullin në një trup të vetëm përmes Kryqit të tij. Për ta bashkëndarë logjikën e Jezusit, bariut të mirë, duhet të formohemi edhe ne nga Mësuesi hyjnor e të “ripërtërihemi” e të përforcohemi nga Shpirti i Tij.
Më tepër mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të dielës së 16-të, mund të dëgjoni në faqen e internetit të Radio Vatikanit..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.