2009-07-18 13:21:36

Arësyeja dhe teknika, të vetme, nuk mjaftojnë për të zgjidhur problemet e njeriut: prof. Stefano Sempliçi reflekton mbi “Caritas in veritate”


(18.07.2009 RV)RealAudioMP3 Megjithëse është një Enciklikë që i kushtohet temave shoqërore, “Caritas in Veritate” propozon në të vërtetë sfidën antropologjike qendrore të Mësimeve të Benediktit XVI: njeriu prodhon vetveten, apo varet nga Zoti? Papa na paralajmëron se në ekonomi, ashtu si në bioetikë, zgjidhjet e problemeve të njerëzimit nuk mund të jenë vetëm teknike, por duhet të kenë parasysh kërkesat e personit, që ka korp e shpirt. Një hap tjetër për kapërcimin e konfliktit ndërmjet fesë dhe arësyes, por edhe një sfidë e madhe për mendimtarët laikë. Na e shpjegon në mikrofonin tonë, pedagogu i Etikës shoqërore në Universitetin e Romës “Tor Vergata”, prof. Stefano Sempliçi:
Duke përsëritur dhe azhornuar mësimet e mëdha të enciklikës “Populorum Progressio”, Benedikti XVI reflekton mbi parimet – e edhe kontradiktat – që lidhen me zhvillimin ekonomik e me vendosjen e rregullave për tregun. Gjithsesi, këto tema duhen inkuadruar në boshtin vërtet të rëndësishëm të mendimit të Papës, që është çështja antropologjike. Benedikti XVI përsërit edhe një herë se nuk ekziston veprimtari ekonomike, që e vetme, të mund ta çojë në maksimum një parametër, për shembull fitimin. Është njëlloj sikur Papa të thoshte: nuk duhet menduar kurrë se ekziston një përmasë njerëzore – pavarësisht se e rëndësishme si ajo në të cilën njeriu është i impenjuar për të kënaqur nevojat e veta më thelbësore, për të kultivuar e rritur interesat, pra përmasa ekonomike – që e vetme, të jetë në gjendje të zgjidhë problemin e njeriut në tërësinë e vet. Pra, problemi i ka rrënjët në fushën etike.
Në kohën e sotme i japim përparësi teknikës. Por nëse e konsiderojmë veten krijesa të Zotit, pra jeta jonë varet prej të Gjithpushtetshmit, nuk mund ta mbivlerësojmë teknikën…
Është absolutisht e qëllimshme vendosja në këtë Enciklikë i një kapitulli kushtuar teknikës. Në një Enciklikë, e cila merret kryesisht me tematikat e zhvillimit, të solidaritetit në nivel global, me racionalitetin e veprimtarisë ekonomike, që për të qenë e tillë, duhet njohur si formë e racionalitetit praktik të njeriut në tërësi. Këtu gjejmë edhe një kapitull mbi teknikën. Pasi ai i racionalitetit teknik, instrumental, është për Papën një tjetër tundim i madh për varfërimin dhe reduktimin e rëndësisë së racionalitetit praktik të njeriut, marrë në tërësi. Të mos harrojmë se për Benediktin XVI, këtu është në lojë jo thjesht feja, në raport me arësyen – gati sikur e dyta t’i nënshtrohej së parës – por një rreth virtuoz, në të cilin të dyja, feja dhe arësyeja arrijnë domethënien dhe mundësitë e tyre të plota.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.