2009-07-17 19:27:17

Refugjatët e krishterë të Pakistanit përjashtohen nga shpërblimet qeveritare për rindërtimin.


(18.07.2009 RV)Refugjatët e krishterë të luginës së Svatit e të zonës Malakand, nuk po i marrin ndihmat e premtuara nga qeveria. E denoncon këtë e përditshmja Pakistan Christian Post, që kërkon trajtim të barabartë për miliona të shpërngulur, pa bërë asnjë dallim të tipit fetar. Më 13 korrikun e kaluar Islamabadi nisi procedurat për rikthimin e tyre. Kryeministri Jusaf Raza Gilani shpjegoi se ushtria e kreu me sukses operacionin për zhdukjen e talebanëve nga Bonier, Dir, lugina e Svatit e fshatrat e zonës së Malakandit. Edhe disa zona të tjera, posaçërisht ato në kufi me Afganistanin – janë tashmë të sigurta e refugjatët mund të rikthehen në shtëpitë e tyre. Për të nxitur rikthimin në jetën normale, qeveria ka caktuar një shumë prej 25 mijë rupiesh (rreth 230 euro), si dëmshpërblim për familjet e dëmtuara nga lufta ndërmjet ushtrisë e talebanëve. Veprimtaria për rikthimin e refugjatëve nisi së pari në kampin e Mardanit, ku familjeve të gatshme për udhë, iu dorëzua shuma e caktuar, si ndihmë për rindërtimin e shtëpive. Pakistan Christian Post nënvizon se në kampet qeveritare të refugjatëve, numri i të krishterëve nuk është i madh. Numërohen vetëm 60 grupe familjare, që kanë fituar statusin e refugjatit nga qeveria: të gjithë të regjistruar pranë qendrës së strehimit të Mardanit, ngritur nga Kisha pakistaneze. Por refugjatët e krishterë nuk janë kaq pak: janë me mijëra e të gjithë të strehuar nga familjarët e miqtë në vijën kufitare veri-perëndimore e në Punxhab. Ata rrezikohen të mbeten pa kurrfarë dëmshpërblimi. Gjatë javëve të fundit AziaNjuz denoncoi se ekziston një pabarazi e dukshme në trajtimin e të krishterëve, viktima të luftës, të cilët u dëbuan nga kampet për shkak të fesë e vijojnë të persekutohen në njëmijë mënyra. Prandaj Karitasi, Kisha katolike e Pakistanit dhe organizatat e tjera të krishtera, po dërgojnë ndihma në të holla, në ushqime e sende të tjera të domosdoshme për jetën, të cilat po u shpërndahen si të krishterëve, ashtu edhe myslimanëve, pa kurrfarë dallimi.
Nazir Bhati, president i Pakistanit, shpreh shqetësimin e tij për pabarazinë në trajtimin e njerëzve me fe të ndryshme e kërkon nga qeveria t’u sigurohet dëmshpërblimi edhe refugjatëve të krishterë, strehuar pranë farefisit.







All the contents on this site are copyrighted ©.