2009-07-17 18:27:48

Papa thyen kyçin e dorës së djathtë, por pas operacionit kthehet në Lë Kombë. Gjendja e tij është e mirë.


(17.07.2009 RV)RealAudioMP3 Zgjoi keqardhje dhe një valë të menjëhershme solidariteti lajmi për aksidentin e pësuar nga Benedikti XVI, i cili pas rrëzimit në shtëpinë ku po pushon në Lë Kombë të Vale d’Aostës, theu, gjatë natës së djeshme, kyçin e dorës së djathtë. Papa u operua sot në spitalin e Aostës “Umberto Parini” nga primari i ortopedisë, dr. Manuel Mançini. Siç shpjeguan mjekët, ndërhyrja, e bërë në anestezi lokale, reduktoi frakturën dhe vuri në vend kockat e kyçit. Papa, i cili është kthyer tashmë në rezidencën e tij verore në Lë Kombë, do ta mbajë dorën në allçi për rreth një muaj e pastaj do të bëjë rehabilitimin e saj. Sipas dr. Mançinit, ndërhyrja është kaq e vogël, sa me fizioterapinë e duhur, Ati i Shenjtë mund të vazhdojë t’i bjerë edhe pianos, që e ka pasion. Analizat e bëra në spital treguan se gjithçka është në rregull dhe se rrëzimi i Benediktit XVI ka qenë thjesht aksidental e nuk varet nga ndonjë arësye tjetër shëndetësore.
Që paradite, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi sqaroi se para se të shkonte në spital në orën 9.45, Papa kremtoi Meshën dhe hëngri si zakonisht mëngjesin. Pas operacionit, po atë Lombardi shtoi:
“Ndërhyrja e bërë për reduktimin e frakturës shkoi mirë dhe pasdite parashikohet që Papa të kthehet në Lë Kombë. Përsa i përket programit të ardhshëm, shpresojmë që të mos ndryshojë”.
Një nga gazetarët e së përditshmes kishtare italiane “Avvenire” e ndjek nga afër Papën në Aosta. Të dëgjojmë si reaguan banorët e vendit, në tregimin e Salvatore Macës:
“U mblodhën shumë njerëz këtu, jashtë spitalit, e sapo u përhap lajmi, përpiqeshin të merrnin vesh si ishte Papa. Për herë të parë, shqetësimi për Papën kapërceu kujdesin për të qenë të rezervuar sa herë që Ati i Shenjtë vjen në Vale d’Aosta. Të themi se pati një valë dashurie shumë të qartë e tepër spontane”.
Shumë eksponentë politikë i bënë Papës urimet për shërim të shpejtë. Ndër më të shqetësuarit, qe ipeshkvi i Aostës, imzot Xhuzepe Anfosi, i cili para pesë ditësh i uroi mirëseardhjen Atit të Shenjtë. Ja fjalët e tij në mikrofonin tonë:
Kam një meshtar që e ka për detyrë të ndjekë pushimet e Papës. Më lajmëroi me shqetësimin karakteristik për miqtë. Kur ne themi se e duam shumë Papën, është diçka që e ndjejmë thellësisht, sidomos kur e kemi këtu si mik të afërt.
Cili është urimi juaj dhe i dioqezës suaj për Benediktin XVI?
Mbi të gjitha, të shërohet. Pushimet janë ndoshta edhe një çast i mirë për të përballuar një vështirësi të vogël shëndetësore, por ai duhet ta dijë se ne i qëndrojmë afër, duke respektuar thellësisht mënyrën me të cilën dëshiron ta kalojë kohën që ka në dispozicion.







All the contents on this site are copyrighted ©.