2009-07-17 19:12:13

Një hap drejt Pavarësisë: 97-vjetori i kryengritjes së Kosovës


(17.07.2009 RV)Në fillim të korrikut 1912, forcat kryengritëse në Kosovë u hodhën në sulm për çlirimin e qyteteve. Pasi kishin çliruar Gjakovën, më 17 korrik, kryengritësit, të udhëhequr nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, iu drejtuan Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës, me një aksion të shpejtë, të përkrahur edhe nga xhandarët e vendit dhe nga një pjesë e ushtrisë, rrethuan zyrën e telegrafës dhe e detyruan komandantin osman që të hiqte dorë nga qëndresa. Kështu, kryengritësit hynë në Prishtinë pa luftë dhe e çliruan.
Forcat e Mitrovicës çliruan Pazarin e Ri. Autoritetet civile e ushtarake të qytetit u bashkuan me kryengritësit. Banorët shqiptarë të Senicës, të Novi Varoshit, të Akovës, të Prepoljes, të Plevljes, të Tërgovishtës, të Beranës dhe të Kolashinit hynë në lidhje me Isa Boletinin. Forcat qeveritare që ndodheshin në Prizren.u solidarizuan me kryengritësit.
Nga Pazari i Ri forcat e komanduara nga Isa Boletini, rreth 6 000 veta, u drejtuan për në Mitrovicë. Qyteti, pas bisedimeve të nënprefektit me Isa Boletinin, u dorëzua pa luftë më 27 korrik 1912. Pas Mitrovicës u çliruan edhe Vuçiterna e Ferizaj. Që këtej kryengritësit marshuan drejt Prishtinës për t’u bashkuar me forcat e Bajram Currit.
Edhe popullsia e qytetit të Pejës, e udhëhequr nga krerë të zejtarëve dhe të tregtarëve të vegjël, në mbledhjen e datës 27 korrik vendosi të bashkohej me kryengritjen. Mytesarifi, i pafuqishëm përballë revoltës popullore, nuk veproi dhe e tërhoqi ushtrinë në kazerma. Në këto kushte edhe bejlerët e Pejës shpejtuan që të bashkoheshin me forcat kryengritëse të grumbulluara në Prishtinë. Në mbarim të korrikut rreth 1 700 pejanë të armatosur u nisën së bashku me krerët e tyre për në Fushë-Kosovë.
Afër 30 000 kryengritës, me gjithë mungesën e ushqimeve, të veshmbathjeve e sidomos të materialeve luftarake, po marshonin në të gjitha anët e Kosovës, edhe pse kishin përballë rreth 70 000 ushtarë osmanë, të armatosur mirë dhe të përforcuar me reparte artilerie e kalorësie. Kryengritësit kudo ku hynë u pritën me gëzim të madh nga popullsia vendase. Me të hyrë në qytete, ata lironin të burgosurit dhe dëbonin funksionarët e urryer nga populli.
Në viset juglindore të Kosovës, rreth 2 000 kryengritës të drejtuar nga Idriz Seferi e Bejtullah Aga, pas vendimit që morën në kuvendin e organizuar në Pozharan, nisën sulmin mbi qytetin e Gjilanit, dhe e çliruan atë. Kryengritësit e kësaj treve ishin të gatshëm të marshonin drejt Kaçanikut e Shkupit. Më 27 korrik forcat kryengritëse çliruan Bujanovcin, ku vendosën rendin dhe qetësinë. Që këtej Idriz Seferi, i shoqëruar nga 70 kryengritës, u nis më 29 korrik për në Prishtinë.
Pas sukseseve që arritën forcat kryengritëse kundër ushtrisë osmane dhe pas çlirimit të një pjese të mirë të qyteteve, në Kosovë për një kohë u ndërprenë veprimet luftarake. Repartet ushtarake osmane u tërhoqën kudo në kazerma. Organet administrative xhonturke po ua lëshonin vendin udhëheqësve radikalë të kryengritjes, të cilët formuan këshillat lokale. Këta këshilla në shumë vende morën në dorë ruajtjen e rendit dhe detyra të tjera. Në të vërtetë ata duhej të luanin rolin e organeve të pushtetit të ri shqiptar që kishte dalë nga kryengritja e armatosur. Një kujdes të veçantë këto organizma i kushtuan edhe mbrojtjes së popullsisë serbe.







All the contents on this site are copyrighted ©.