2009-07-17 18:28:07

Ipeshkvijtë e Republikës Demokratike të Kongos denoncojnë kurrupsionin e jashtëzakonshëm në vend.


(17.07.2009 RV)RealAudioMP3 Korrupsioni, si kancer, shtrin metastazat e veta në të gjitha gjymtyrët e shëndosha të vendit afrikan, prek të gjitha institucionet, duke vrarë kështu shpresat e banorëve vendas. Në një dokument të gjatë, që u botua këto ditë, me rastin e pesëdhjetëvjetorit të pavarësisë, pikturohet kuadri i errët i situatës: infrastrukturat shoqërore shpërbëhen, popullsia vijon të varfërohet, pakënaqësia të shtohet e forcat e brendshme e të jashtme, të përfitojnë nga një situatë e tillë, për të vënë dorë mbi pasuritë e vendit. Një grusht i vogël njerëzish arrin kulmet e pasurisë, pjesa tjetër, të varfërisë, deri në mjerim të plotë. Është kjo detyra e qeverisë? Apo duhet quajtur ‘faji i qeverisë’.
E pikërisht kështu e quajnë, pa asnjë ngurrim, ipeshkvijtë e vendit, të cilët i drejtojnë të gjithë kongolezëve ftesën për të gjetur ngutshëm, me urti e guxim, rrugëdalje nga një situatë e tillë, e palejueshme. Por, të dëgjojmë, ipeshkvin e Tshumbes, kryetar i ipeshkvijve kongolezë, Djomo Lola:

Përgjigje: - Effectivement, la situation est particulièrement grave et tout le monde... Faktikisht, situata është tejet e rëndë e të gjithë ankohen, që nga qeveria, tek njerëzit më të thjeshtë: në se nuk i vemë pritë kësaj së keqeje, do të jenë në rrezik vetë vendi e demokracia e tij në fasha.

Pyetje: - Domethënë, korrupsioni ka marrë dhenë në të gjithë vendin?

Përgjigje: - Oui, avec son corollaire qui est l’impunité…
Pikërisht, me gjithë pasojat e tij, që burojnë kryesisht nga fakti se askush nuk dënohet për këtë plagë vdekjeprurëse, që po i hapet vendit! Njerëzit janë dhënë pas korrupsionit në të gjitha nivelet, e kur edhe vetë drejtësia është e prekur thellë nga korrupsioni, atëherë më kot presim shpëtim. Prandaj i ramë këmbanës së alarmit!

Pyetje: - Ju nuk ngurruat të tregoni me gisht autoritetet e vendit: janë ata, sipas jush, përgjegjës kryesorë për situatën?

Përgjigje: - Elles sont les premières concernées parce que à eux a été confié …
Janë ata që kanë përgjegjësinë kryesore, sepse atyre u është besuar drejtimi i shtetit; kjo tregon se kur korrupsioni ka shtrirë rrënjët deri tek autoritetet e shtetit, situata është tejet e rëndë. Ne pohojmë, veç, se të gjithë janë të përlyer, duke përfshirë edhe qytetarët e thjeshtë; prandaj thirrja jonë u drejtohet të gjithëve, duke nisur nga autoritetet.

Pyetje: - Botimi i një mesazhi të tillë, kaq të qartë, është provë e guximit nga ana e ipeshkvijve. Ishit të gjithë njëmendjeje? E a keni frikë nga pasojat?

Përgjigje: - Non, nous n’avons pas des craintes et le message a été adopté …
Jo, nuk kemi frikë fare e mesazhi u miratua nga të gjithë ipeshkvijtë. Kur e trajtuam këtë problem, që ka të bëjë me interesin jetik të kombit, ipeshkvijtë ishin të gjithë si një trup i vetëm, sepse ky mesazh mund të kontribuojë për progresin e vendit. Nuk kemi frikë, sepse për kurrupsionin ka folur edhe presidenti në Goma, e edhe ai është i vetëdijshëm për këtë plagë. E, sidomos, nuk kemi frikë, sepse fjala e Kishës pritet nga të gjithë, e prandaj Kisha nuk mund të heshtë!








All the contents on this site are copyrighted ©.