2009-07-17 18:28:33

Imzot Shleiman: dhuna në Irak është më shumë politike, sesa fetare.


(17.07.2009 RV)RealAudioMP3 Problemi i dhunës në Irak “është më shumë i natyrës politike, sesa fetare”. Kështu u shpreh kryeipeshkvi latin i Bagdadit, imzot Zhan Benjamin Shleiman gjatë një konference shtypi, mbajtur pak ditë më parë në Madrid, në selinë e Karitasit spanjoll. Prelati – shpjegon agjensia Zenit – pranoi se vitin e fundit ka pasur një progres të dukshëm në këtë fushë, gjë që e tregon fakti se viktimat e dhunës sot janë 80% më pak. Gjithsesi shprehu edhe frikën se sulmet e fundit kundër disa kishave katolike, mund t’i shuajnë përsëri shpresat, që pati ngjallur në zemrën e njerëzve ky pakësim i dhunës. E kjo do të shkaktojë valë të reja irakianësh, që do ta lënë përgjithnjë vendin. Ndërmjet tyre, kuptohet, shumë të krishterë, sepse më të kërcënuarit.
Kryeipeshkvi latin i Bagdadit ishte në Spanjë, së bashku me drejtorin e Karitasit të Irakut, Nabil Nisan, për t’i paraqitur grupeve të ndryshmne të interesuara të Kishës e të Karitasit spanjoll, mundësitë që krijohen me largimin e forcave amerikane dhe sfidat humanitare më urgjente të Karitasit irakian.
Në fjalën që mbajti me këtë rast, imzot Shleiman vuri theksin mbi sfidën e pajtimit kombëtar, e cila nuk mund të përballohet, në se do të vijojë përçarja shoqërore e territoriale, që gjakos vendin.
Ndërsa në planin humanitar, Karitasi i Irakut kryen një shërbim të rëndësishëm në fushën e sigurimit të ushqimit për fëmijët, të ndihmës mjekësore e të mbrojtjes së handikapatëve e të të shpërngulurve brenda vendit për shkak të dhunës.







All the contents on this site are copyrighted ©.