2009-07-17 18:35:53

Atentat në Xhakartë: 9 të vdekur e 50 të plagosur


(17.07.2009 RV)RealAudioMP3 Kthehet terrorizmi në Indonezi. Sot paradite në Xhakartë, një atentat i dyfishtë përfshiu dy hotele, të frekuentuara kryesisht nga turistë amerikanë, dhe shkaktoi 9 të vdekur e së paku 50 të plagosur. Njëzëri, bashkësia ndërkombëtare dënoi aktin, duke e quajtur dhunë pa kuptim. Akoma, asnjë grup nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e atentateve. Hamendjet mbi autorët të çojnë drejt grupeve islamike, siç thotë në mikrofonin tonë eksperti italian i zonave të Lindjes, Stefano Vekia:
Mendimi të shkon menjëherë tek ekstremizmi islamik, i cili, megjithëse prej kohësh nuk ka vepruar me akte të zhurmshme, në fakt është shumë aktiv. Jo rastësisht, raporti i djeshëm i Shërbimit të Sigurimit australian paralajmëronte atentate të reja të mundshme.
Presidenti i ri Jud-hojono deklaroi se ekzistojnë disa forca, që duan të destabilizojnë vendin, megjithëse në çastin e zgjedhjes fliste për fitore mbi terrorizmin. A ekzistojnë lidhje ndërmjet episodeve të sotme dhe këtyre deklaratave?
Kjo është pa dyshim e mundshme, pasi nga zgjedhjet politike të majit dhe ato presidenciale të disa ditëve më parë u bë e qartë se ekstremizmi islamik dhe lëvizjet politike, që mbështesin një lloj fondamentalizmi, janë në pakicë absolute në vend. Indonezia, vend kryesisht mysliman, më i madhi në botë, është edhe një vend laicist, ku barazia dhe bashkëjetesa i kanë rrënjët e thella. Një lloj islamizmi radikal, që gjatë këtyre viteve është përhapur aty-këtu, eksponentët e të cilit ndodhen edhe në burg, nuk e pranon demokracinë e tani, ndoshta ka vendosur ta ngrejë sërish zërin.
Sipas jush, Indonezia mund të jetë terren ideal për përhapjen e fondamentalizmit?
Ky rrezik ekziston dhe merr fuqi nga disa pjesë të shoqërisë së një vendi të stërmadh, me ndryshime të jashtëzakonshme rajonale e me kontraste të mëdha etnike, të cilave, nganjëherë, u shtohen edhe kontraste fetare, siç dëshmuan për shembull, ndeshjet ndërmjet myslimanëve e të krishterëve për vjet me radhë në Moluke. Ky është problemi: derisa Indonezia të mos ketë arritur një barazi me fakte e një mirëqënie të shpërndarë si duhet, terrorizmi mund të gjejë gjithnjë arësye për të dalë mbi ujë, edhe dhunshëm.
Kjo kushtëzon marrëdhëniet e Indonezisë me bashkësinë ndërkombëtare. Një Indonezi e qëndrueshme do të ishte shumë e rëndësishme për arritjen e qetësisë e të paqes në të gjithë Lindjen, apo jo?
Sigurisht që po, e kjo për dy arsye: e para, sepse Indonezia është një vend i madh në qendër të një zone me interes, është shumë e pasur me burime natyrore, por, siç thashë, është edhe vendi më i madh mysliman i botës, me 240 milion banorë. Prandaj, një Indonezi, ku Islami të mos tregojë fytyrën e vet më agresive, por atë më tolerante dhe demokratike, është e qartë se do të ishte një shembull i madh për vendet e rajonet e tjera islamike.







All the contents on this site are copyrighted ©.