2009-07-16 17:44:52

Sot në ditën e festës së Zojës Karmë përkujtojmë edhe të Shfaqurit e fundit të Zojës së Papërlyer në Lurdë në vitin 1858.


(16.07.2009 RV)Pikërisht me 16 korrik të vitit Bernardeta do ta shihte për herë të tetëmbëdhjetë dhe të fundit Zojën e Papërlyer. Të shfaqurat e Zojës në Lurdë kishin filluar me datë 11 shkurt të po atij viti.
16 korriku i vitit 1858 ishte një e premte dhe në mbrëmje Bernardeta ndjeu brenda vetes dëshirën e parrëfyer për të shkuar edhe një herë tek shpella që gjendet përtej lumit Gavë. Megjithëse ipeshkvi i Tarbes i kishte kërkuar që prej tre muajsh që të mos shkonte më tek shpella, Bernardeta niset së bashku me tezen e saj Lusila për në Masabielë aty nga ora tetë e mbrëmjes, kur dielli porsa kishte perënduar.
Porsa nis rruzaren i realizohet shpresa që mbante në zemër dhe sheh Zojën e Papërlyer për të tetëmbëdhjetën herë. Ekstaza zgjat më pak se një çerek ore dhe përfundon me një “Mirupafshim” që në zemrën e vajzës zgjon një lloj malli të veçante dhe një gëzim të parrëfyer sepse kishte disa muaj (që në prill të atij viti) që nuk e kishte parë më Virgjërën Mari në shpellën e Masabielës.
Siç dihet gjatë të shfaqurit të Saj të datës 25 maj 1858, Virgjira Mari i ishte përgjigjur më në fund pyetjes së Bernardetës se kush ishte me fjalët: “Qué soy er Immaculada Councepsiou” – “Unë jam të Zanunit e Papërlyer”.







All the contents on this site are copyrighted ©.