2009-07-16 18:37:42

Shqipëri: KQZ rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në fund të korrikut.


(16.7.2009 RV)Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Leonard Olli tha të enjten pasdite, se "KQZ është në pritje të përmbylljes së kërkesave ankimore nga Kolegji Zgjedhor për të çertifikuar në fund të muajit Korrik rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit".
Zëdhënësi i KQZ-së, gjatë një konference për shtyp informoi mediat se, sot duke përmbyllur procesin e ankimimeve pranë Komisionit, krijohet mundësia që në fund të muajit korrik të bëhet i mundur çertifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Kjo pasi të jetë përfunduar trajtimi i kërkesave ankimore dhe nga ana e Kolegjit Zgjedhor.
Përgjatë një jave Komisioni Zgjedhor shqyrtoi një numër kërkesash ankimore nga subjektet politike që kundërshtonin rezultatet e disa KZAZ-ve në disa qarqe të vendit, për parregullsi të tyre. Gjatë mbledhjeve që u shoqëruan me debat KQZ miratoi ankesën e PS-së për Qarkun e Fierit, atë të PD-së për Qarkun e Shkodrës, ndërsa rrëzoi një numër ankesash të tjera si të pambështetura në prova dhe ligj.
******
"Sot, më datë 16 korrik, KQZ, i ka dhënë fund shqyrtimit të të gjitha kërkesave ankimore që u paraqitën nga subjektet e ndryshme politike. Shqyrtimit të kërkesave ankimore i parapriu, në fakt, përmbyllja e tabelave të rezultateve, për të gjitha ZAZ-të e 12 qarqeve. Në këtë kontekst, KQZ ka hartuar tabelat përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve në të gjitha qarqet dhe mbetet në pritje të së drejtës së palëve për të paraqitur më tej pretendimet e tyre në Kolegjin Zgjedhor.
Ashtu sikundër e parashikon edhe Kodi Zgjedhor, Komisioni duhet të shqyrtojë brenda 10 ditëve nga momenti i paraqitjes së kërkesave ankimore pretendimet e palëve. Në fakt, u morën në shqyrtim 15 kërkesa ankimore, të cilat u shqyrtuan në një kohë rekord, brenda 7 ditëve, ose e thënë ndryshe mesatarisht 2 kërkesa ankimore në ditë, që u shqyrtuan jo vetëm në parametra kohorë tepër të kënaqshëm, por dhe në trajtimin e gjerë e të detajuar të tyre. Sigurisht që përmbyllja e këtij procesi në këtë kohë rekord, i dedikohet edhe përmirësimeve të ndjeshme që ka sjellë Kodi Zgjedhor, në këtë aspekt.
Përmbyllja e kësaj faze në KQZ u krijon mundësinë të gjitha palëve që brenda 5 ditëve të paraqesin pretendimet e tyre pranë Kolegjit Zgjedhor, i cili nga ana e vet, nga momenti i paraqitjes së kërkesave ankimore, ka në dispozicion 10 ditë për t'i shqyrtuar ato. Të gjithë, këta elementë krijojnë mundësinë kohore, që në fund të muajit korrik të bëhet i mundur çertifikimi i rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga ana e KQZ.
Ndërkohë, Komisioni jo vetëm ka nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve në të 12 qarqet, por përllogariti dhe bëri shpërndarjen e mandateve si brenda koalicioneve ashtu dhe numrin e mandateve të përftuara nga secili koalicion në 6 qarqe. Kështu, KQZ ka bërë shpërndarjen e mandateve në qarqet: Kukës, Korçë, Dibër, Elbasan, Gjirokastër, Vlorë.
Në total, deri në këtë moment janë mandatuar numerikisht dhe nominalisht 53 deputetë ose rreth 40 % e totalit përbërës të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, që në rang vendi, në përfundim të procesit ankimor në KQZ, rezultati në total, për secilin koalicion është si më poshtë vijon:
1.Aleanca e Ndryshimit 46.92% ose 70 mandate 2.Aleanca Socialiste per Integrim 5.52% ose 4 mandate 3.Bashkimi per Ndryshim 45.52% ose 66 mandate
Tashmë, KQZ, mbetet në pritje të shqyrtimit të kërkesave ankimore nga ana e Kolegjit Zgjedhor, pasi nga ky fakt kushtëzohet dhe çertifikimi e shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të përgjithshme që u zhvilluan më 28 Qershor 2009.Nga ATSH-ja







All the contents on this site are copyrighted ©.