2009-07-16 16:38:06

Një sërë emërimesh në dikasteret vatikanase. Imzot Karlo Maria Viganò është sekretari i ri i përgjithshëm i Guvernatoratit.


(16.07.2009 RV)Salla e Shtypit e Vatikanit bëri të njohur sot një sërë emërimesh papnore.
Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi sekretar të ri të përgjithshëm të Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit nuncin Karlo Maria Viganò, deri tani delegat për përfaqësitë papnore. Viganò do të zëvendësojë Imzot Renato Bokardo, organizator i udhëtimeve apostolike të Papës dhe i Ditëve Botërore të Rinisë, që do të bëhet kryeipeshkëv i dioçezës Spoleto-Norçia.
Si nunc i ri apostolik në Liban u emërua Imzot Gabriele Xhordano Kaçia, deri tani këshilltar për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit, post në të cilin u emërua Imzot Piter Brajan Uells, i cili deri më sot ka qenë këshilltar i nunciaturës pranë Seksionit të Çështjeve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit. Ndërsa Imzot Luixhi Gati deri tani nunc apostolik në Liban, u emërua përfaqësues i Selisë Shenjte në Greqi. Imzot Franko Kopola, deri tani këshilltar i nunciaturës për sektorin e Raporteve me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit, u emërua nunc apostolik në Burundi.
Po sot Papa Racinger emëroi kryeipeshkëv të dioçezës Peruxha-qytet dhe Pieve Imzot Gualtiero Baseti, i cili u transferua nga dioçeza e Areco-Kortonë-Sansepolcro. Në këtë mision ai do të zëvendësojë Imzot Xhuzepe Kiareti, që lë detyrën për shkaqe moshe.
Ndërsa dioçeza e Areco-Kortona-Sansepolkros do të ketë si kryeipeshkëv të ri Imzot Rikardo Fontana, i cili deri më sot ka drejtuar dioçezën e Spoleto-Norça.
Në fund, Papa Benedikti XVI emëroi kryeipeshkëv ndihmës të Manizales në Kolumbi, Imzot Gonzalo Restrepo Restrepo, i cili deri tani ka qenë ipeshkëv në Xhirardota.







All the contents on this site are copyrighted ©.