Letër e presidentit italian Xhorxho Napolitano drejtuar Benediktit XVI: Enciklika
“Caritas in veritate” është një ftesë për të rimenduar shumë aspekte të jetës.
(16.07.2009 RV)Temat themelore që kanë të bëjnë me jetën e njeriut dhe pikëpyetjet
e mëdha që ka shoqëria e jonë sot, sikurse nënvizohet në enciklikën “Caritas in Veritate”,
“janë nxitje për një reflektim që mund të ketë pasoja pozitive për të gjithë.” Kështu
shprehet presidenti italian Xhorxho Napolitano në një letër drejtuar Benediktit XVI. Në
të presidenti Napolitano pohon se e ka lexuar “me interes të madh” enciklikën e tretë
të Papës Racinger, enciklikë kjo që e shpie zërin e Papës brenda një shoqërie e cila
vitet e fundit është e shqetësuar dhe e pasigurtë jo vetëm për perspektivat dhe për
të ardhmen e ekonomisë botërore dhe të zhvillimit, por edhe për shndërrimet që po
përjeton”. Shndërrime – shton presidenti Napolitano – që shfaqen në marrëdhëniet njerëzore,
në punë dhe në ndërmarrje, në raportet ndërmjet banorëve të planetit dhe mjedisit
e burimeve natyrore të cilat për shumë kohë janë konsideruar si të pashterrshme”.
Kryetari i shtetit italian Napolitano, në letrën e tij shton gjithashtu se “temat
themelore të jetës së njeriut, të raportit me të tjerët dhe pikëpyetjet e mëdha që
kanë të bëjnë me shoqërinë tonë, ashtu siç trajtohen në enciklikë “do të jenë nxitje
për një reflektim që mund të jetë pozitiv për të gjithë”. Pohimi i Benediktit XVI
mbi çështjen morale, e cila është bërë një çështje rrënjësisht antropologjike, përbën
sipas presidentit Napolitano – një ftesë për t’i rimenduar thellësisht shumë aspekte
të jetës dhe të funksionimit të shoqërisë njerëzore”. “Kjo kërkon në veçanti një reflektim
të ri e të thellë mbi kuptimin që ka ekonomia dhe synimet e saj si edhe një rishikim
të thellë dhe largpamës të modelit të zhvillimit, për të qortuar gabimet dhe shtrembërimet.”
– përfundon letrën e tij presidenti Napolitano.