2009-07-15 16:50:53

Selia e Shenjtë u kujton të gjithëve të mos harrohen të varfërit në botë. Fjalim i imzot Tomazit në OKB.


(15.07.2009 RV)“Të gjinden rrugëzgjidhje për krizën ekonomike, që lindi nga etja për para dhe nga mungesa e përgjegjësisë etike”: kjo është sfida, që duhet përballuar për lindjen e një modeli të ri të zhvillimit global. E nënvizoi imzot Silvano Tomazi, Vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në një fjalim të hollësishëm para Këshillit ekonomik e shoqëror të OKB-së (Ecosoc), mbledhur këto ditë në qytetin helvetik.
“Kriza ekonomike globale vijon të peshojë pa mëshirë mbi njerëzit e varfër – theksoi kryeipeshkvi Tomazi – duke cituar parashikimet e Bankës Botërore: në vitin 2009 më se 65 milionë vetë do të katandisen në varfëri të plotë e të uriturit kronikë do të arrijnë në 1 miliard, turma të tëra njerëzish të varfër, që rrezikohen të marrin sëmundje, si kronike, ashtu edhe ngjitëse, siç është gripi A, i shkaktuar nga një virus deri tani i panjohur. Kjo panoramë – nënvizoi përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë – nxjerr në pah lidhjen e ngushtë ndërmjet varfërisë e shëndetit si dhe barrën e padurueshme, të shpërpjestuar, që rëndon mbi kurrizin e vendeve të prapambetura, ku shëndetësia publike, edhe kështu e ligësht, nuk do të jetë në gjendje t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve të varfër, në se do të detyrohet të përballojë edhe pakësimin e ndihmave humanitare. Ja pra, pse – vërejti prelati – ndihma për zhvillim jo vetëm që nuk duhet pakësuar, por përkundrazi, duhet shtuar, duke e parë jo vetëm si shprehje të solidaritetit, por kryesisht si çështje drejtësie.
Në se veprimtaria ekonomike – përfundoi prelati, duke cituar Enciklikën e Papës ‘Caritas in Veritate” – nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet shoqërore përmes logjikës së tregut, që duhet vënë në shërbim të së mirës së përbashkët, për të cilën duhet të kujdeset posaçërisht e sidomos bashkësia politike, atëherë duhet të rinisemi nga këndvështrimi etik i zhvillimit global, që ka në qendër të vëmendjes njeriun e jo fitimin e që ka parasysh nevojat e dëshirat e mbarë familjes njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.