2009-07-15 16:56:54

Pedagogët e fakulteteve të ekonomisë të universiteteve romake reflektuan mbi Enciklikën “Caritas in veritate” të Benediktit XVI


(15.07.2009 RV)RealAudioMP3 “Megjithëse Kisha nuk ka zgjidhje teknike për të propozuar, gjithsesi, e ka për detyrë të tregojë rrugën për t’u ndjekur”. Me këto fjalë, presidenti i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinal Renato Rafaele Martino hapi në Romë punimet e konferencës “Enciklika e re ‘Caritas in veritate’ e Benediktit XVI. Shtigje kërkimi për kulturën universitare”. Takimi u organizua nga Zyra për Baritorinë universitare të Vikariatit të Romës e në të morën pjesë pedagogët e ekonomisë të ateneve romake. Të dëgjojmë Leonardo Beketin, pedagog i ekonomisë politike pranë Universitetit Tor Vergata:
“Revolucioni i madh i kësaj enciklike është të kuptohet se sistemi ekonomik funksionon më mirë e shkon drejt zhvillimit të gjithanshëm të personit, vetëm kur njohim njeriun me gjithë pasurinë e kompleksitetin e tij. Këto gjëra, përveçse e bëjnë të lumtur personin, janë edhe elemente të jashtëzakonshme pjellorie ekonomike. Sot ekonomia varet sidomos nga niveli i besimit, i bashkëndarjes, i aftësisë dhe i cilësisë së marrëdhënieve ndërmjet agjentëve ekonomikë. Sot, duhet nënvizuar rrethi virtuoz, në të cilin faktorët që kontribuojnë në lulëzimin dhe realizimin e personit, janë edhe faktorë që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik”.
Në enciklikë, Ati i Shenjtë flet për problemet e vështira të shkaktuara nga kriza aktuale ekonomike e për zgjidhjet e reja, që ravijëzohen përmes formave të ekonomisë solidare. Sërish Leonardo Beketi:
“Papa flet për mikrofinancë, për fonde e banka etike, flet për ekonominë ekuo-solidare. Në të vërtetë, besoj se ai u paraqet një sfidë shkencëtarëve dhe punonjësve shkencorë për të nënvizuar në mënyrë të përpiktë ndikimin e këtyre nismave dhe për të nxjerrë në dritë kufizimet e tyre. Është gjithashtu një vlerësim i madh për të gjithë ata, që ditë për ditë dhe konkretisht, kanë ditur të tregojnë se këto risi janë të mundshme”.
Ati i Shenjtë na kujton se që të funksionojë si duhet, ekonomia ka nevojë për një etikë, që vendos në qendër personin dhe jo përfitimin. Kjo është rruga e vetme për të dalë nga kriza. Ja ç’thotë në mikrofonin tonë pedagogu i ekonomisë në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, Domeniko Bodega:
“Para së gjithash, vënia e personit në qendër, e cila duket me lirinë e rivlerësuar, të bashkuar me konceptin e përgjegjësisë, nënvizon rëndësinë e aftësisë për të dhuruar pa kërkuar asgjë në këmbim dhe ripohon vlerën e vëllazërimit, të ligjeve shoqërore, të kapitalit njerëzor që ndërtohet përmes dhuratës”.
E kështu, humanizimi i ndërmarrjes, siç uron Benedikti XVI, bëhet i mundur. Të dëgjojmë sërish, Leonardo Beketin:
“Jo vetëm që është i mundur, por është realizuar tashmë në disa lloje ndërmarrjesh e në disa ambiente. Mjafton të vendoset në qendër të aktivitetit të ndërmarrjes një objektiv shoqëror i lartë. Kur ndodh kjo, punëtorët janë të motivuar jo vetëm nga ana ekonomike, por e ndjejnë ndërmarrjen si të tyren. Natyrisht, këto motivacione nuk duhen tradhëtuar, prandaj duhet treguar kujdes që kushtet ekonomike të punëtorëve të jenë të drejta e ndërmarrja e qëndrueshme. Por, kjo është sfida! Ka tashmë shumë pionierë që e kanë fituar atë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.