2009-07-15 16:50:05

Papa vazhdon pushimet në Lë Kombë me shëtitje e punë, sot e mërkura e parë pa audiencë të përgjithshme


(15.07.2009 RV)Dita e tretë e pushimeve të Papës Benedikti XVI në malet valdostane të Lë Kombë përfundoi qetësisht. Ati i Shenjtë ndodhet larg nga besimtarët, që ndjekin çdo të mërkurë katekizmin e audiencës së përgjithshme. Sot ishte dita e parë pa këtë takim të përjavshëm me Shenjtërinë e Tij. Prandaj në vend të audiencës, po përpiqemi sot të shuajmë kureshtjen e dëgjuesve mbi historinë dhe aktualitetin e saj.
Qe Papa Piu XII, ai që e “shpiku” këtë audiencë të hapur për besimtarët, në Sheshin e Shën Pjetrit o diku tjetër, gjatë së cilës shpjegonte një pjesë të magjisterit të vet. Katekizmi i parë në histori, që ruhet në arkivin në internet të Selisë së Shenjtë, është i datës 26 prill 1939, një muaj e gjysëm pas zgjedhjes në fronin papnor, në të cilin Piu XII u ul më 2 mars. Gati të gjitha katekizmat e atij viti patën në qendër martesën, dashurinë bashkëshortore dhe familjen: një mësim i ndryshëm nga ai që Benedikti XVI ka dhënë përmes 22 audiencave të përgjithshme nga fillimi i vitit 2009. Pikërisht më 4 shkurtin e kaluar, Papa përfundoi ciklin e tij të katërt, të përbërë nga 20 takime, kushtuar Shën Palit Apostull.
Vëllimi i fundit i Shtëpisë Botuese të Vatikanit, që përmbledh katekizmin paolin të Benediktit XVI, është libri i gjashtë i një projekti më të madh magjisterial, dashur nga Papa që në fillim të papnisë. Pas ciklit të parë mbi Psalmet dhe mbi Lutjet e Mëngjesit e të Mbrëmjes, që përfundoi në shkurt 2006, që nga cikli i dytë e deri më sot, Benedikti XVI është thelluar fillimisht në figurën dhe në misionin e Apostujve, deri në shkurt 2007, e më pas, në ciklin e tretë, në meditimet mbi brezin e parë e të dytë të Kishës pas Dymbëdhjetëve, deri në qershor 2008.
Pas katekizmit mbi Shën Palin, Papa lidhi idealisht fillin e meditimeve të tij, përmes ciklit të pestë, filluar më 11 shkurt të këtij viti, që i kushtohet Shkrimtarëve të mëdhenj të Kishës së Lindjes e të Perëndimit në kohën e Mesjetës. Ka paraqitur figura si Shenjtorët Çiril e Metod, Gjon Damasheni, Shën Bonifaci. Siç dihet, audienca e përgjithshme është edhe rasti për të reflektuar me besimtarët etapat më të rëndësishme të papnisë. Benedikti XVI është ndalur në udhëtimin e tij apostolik në Afrikë e në Tokën Shenjte, në Vitin Meshtarak, në enciklikën e tij të tretë “Caritas in Veritate”, impenjimi i tij i fundit para pushimeve në Vale d’Aosta.







All the contents on this site are copyrighted ©.