Më 24 korrik Muzejtë e Vatikanit hapen edhe natën nga 19 deri në 23, rezervimi i biletave
bëhet përmes internetit
(15.07.2009 RV)Për shumë njerëz, që e dëshriojnë prej kohe këtë mundësi, Muzejtë
e Vatikanit përgatiten të arrijnë një ‘rekord’ të ri: atë të hapjes në orët e vona
të natës. Të premten, më 24 korrik – sipas një komunikate – Muzejtë e Vatikanit do
të kenë një orar të jashtëzakonshëm për vizitat, ndërmjet orëve 19 e 23, me hyrjen
e fundit për ata që kanë regjistruar emrin përmes kanalit të internetit, në orën 21.
30. Do të jetë një përvojë e pashembullt, e jashtëzakonshme për vizitorët, të cilët
do të mund të sodisin perëndimin e diellit mbi Bazillikën Shën Pjetrit e mbi Kopshtet
e Vatikanit nga Oborri i Mburojave ose nga dritaret e galerisë së Hartave Gjeografike,
ose të vizitojnë Stancat e Rafaelit e kapelën Sikstine në paqen e në heshtjen e natës,
e akoma, të përshkojnë galeritë e Bibliotekës Apostolike të Vatikanit në dritë-hijen
e në qetësinë e ndajnatës, që të krijon mundësinë t’i kundrosh më qetësisht stolitë
e panumërta. Për ta kënaqur një kureshtje të tillë – njoftojnë Muzejtë e Vatikanit,
është i domosdoshëm regjistrimi on line – me çmim 4 euro – që duhet realizuar përmes
kanalit zyrtar të Muzejeve të Vatikanit, ndërsa në rastet e vizitave të tjera, çmimi
do të mbetet ai që ishte: 14 euro i plotë e 8 euro i reduktuar.