Më 15 korrik, Kisha përkujton Shën Bonaventurën, teolog e mistik i françeskan
(15.4.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin, më 15 korrik, Kisha përkujton Shën
Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan Shën Bonaventura lindi më 1217
në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhërit e pastaj kardinal
e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si
një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia
e tij? Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka
është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan,
që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e
duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar.
E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri
me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit
intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në në Parriz. Shën Bonaventura ka thënë:
“Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë,
e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”. U shpreh kështu me vetëdijen e plotë
se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është
dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i
cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë
në nismën hyjnore.Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.