2009-07-14 17:40:55

Pakistan: kërcënime kundër bashkësive dhe institucioneve të krishtera.


(14.07.2009 RV)“E dimë se jeni të krishterë, ju ftojmë të ikni nga kjo zonë, të ktheheni në fenë islamike dhe të paguani një milion e gjysëm rupie ose përndryshe do të goditeni nga një atentat me kamikaze”.
Kjo është përmbajtja e letrës me kërcënime drejtuar “Rabita Manzil”, qendrës multimediale drejtuar nga Zyra e Komunikimeve shoqërore të Konferencës Ipeshkvnore të Pakistanit.
Talebanët, vë në dukje gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, kanë ndërmarrë kohët e fundit një fushatë të gjerë për frikësimin e pakicave jomyslimane të Pakistanit dhe paralajmërimet e tyre kërcënuese i janë dërguar edhe katedrales të Zemrës së Shenjtë në Lahore, si edhe shoqatave dhe shkollave katolike. Kishat e krishtera kanë çuar zërin për të sensibilizuar shoqërinë për rrezikun e ekstremizmit fetar që pasqyrohet tek vetë përbërja shoqërore e Pakistanit. Me këtë qëllim me 16 gusht do të kremtohet në formë ekumenike Dita e drejtësisë shoqërore.
Gjithashtu të gjitha bashkësitë e krishtera të vendit, të bashkuara dhe në harmoni të plotë, i kanë kërkuar qeverisë një reformë strukturore si në nivel ligjvënës asht edhe në nivel politik për të shmangur dhunën kundër pakicave fetare që me kohë mund të përhapet.
Nga ana e vet Piter Xhejkob, sekretar ekzekutiv i Komisionit Kombëtar të drejtësisë dhe të paqës të Kishës Katolike në Pakistan, i konfirmoi agjencisë së lajmeve AziaNjuz se “situata është delikate dhe tensioni ndjehet në ajër”, por edhe nënvizoi vullnetin e të krishterëve për të vazhduar punën për të mirën e vendit dhe të popullit. Ndër të tjera sekretari i Komisionit Kombëtar të Kishës Katolike Piter Xhejkob në intervistë flet edhe për kërcënime për pengmarrje me qëllim zhvatje të hollash.







All the contents on this site are copyrighted ©.