Papa në Engjëllin e Tënzot: thirrje për Hondurasin.Të luftohen padrejtësitë sociale
(13.07.2009 RV)Sfidat botërore,
në qendër të impenjimeve të G8, dhe impenjimi i Kishës në planin shoqëror e në mbrojtje
të jetës, ishin problemet kryesore, që theksoi Ati i Shenjtë në lutjen djeshme të
Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, shoqëruar me një thirrje
të fuqishme, ngarkuar me shqetësim, për situatën në Honduras. Benedikti XVI i njoftoi
besimtarët për pushimet e tij të afërme në bjeshkë e, duke kujtuas pushimet, i porositi
të gjithë ata që, si Papa, nisen për disa ditë çlodhjeje, t’i respektojnë rregullat
rrugore e të jenë sa më të kujdesshëm në timon.
“Në botë ka shpërpjestime
shoqërore e padrejtësi strukturore, që nuk mund të lejohen më e që kërkojnë, përveç
ndërhyrjeve të detyrueshme e të menjëhershme, një strategji të koordinuar, për rrugëzgjidhje
globale të qëndrueshme”: kjo është pjesa më e rëndësishme e reflektimit të Papës i
cili, në prag të G8, botoi Enciklikën e tij, titulluar ‘Caritas in Veritate”, kushtuar
pikërisht problemeve më të mprehta shoqërore, që trondisin botën e sotme e që: “Në
kohën tonë janë bërë rrënjësisht çështje antropologjike, në kuptimin se kanë të bëjnë
me vetë mënyrën e konceptimit të qenies njerëzore, e cila po lihet gjithnjë më shumë
në dorën e vetë njeriut e të bioteknologjive moderne”. “Duhet një planifikim
i ri ekonomik, që ta rishestojë zhvillimin në përmasa globale, duke u bazuar mbi themelet
etike të përgjegjësisë përpara Zotit e përpara njeriut, si krijesë e Zotit. Duke kujtuar
se Kisha nuk ofron rrugëzgjidhje teknike, Papa nënvizoi: “Kisha nuk ka rrugëzgjidhje
teknike për të paraqitur por, specialiste në humanitet, u ofron të gjithëve mësimin
e Shkrimit Shenjt për të vërtetën mbi njeriun dhe kumton Ungjillin e Dashurisë e të
drejtësisë”. Benedikti XVI tërhoqi vëmendjen mbi atë, që e quajti ‘absolutizëm
i teknikës”: “Rrugëzgjidhjet e problemeve aktuale të njerëzimit, nuk mund
të jenë vetëm teknike, por duhet t’i kenë mirë parasysh të gjitha kërkesat e njeriut,
që është i pajisur me shpirt e me korp…”. “Absolutizmi i teknikës, i cili gjen shprehjen
e vet më të lartë në disa praktika, të cilat i kundërvihen jetës”, mund të shkaktojë
skena të zymta për ardhmërinë e njerëzimit”. “Aktet, që nuk e respektojnë
dinjitetin e vërtetë të njeriut – thotë Papa – edhe kur duken të motivuara nga ‘arsye
dashurie”, në të vërtetë janë fryt i konceptimit material e mekanicistik të jetës
njerëzore, që e katandis dashurinë pa vërtetësi, në një guaskë të zbrazët, për ta
mbushur arbitrarisht”, gjë që mund të ketë pasoja negative për zhvillimin e gjithanshëm
njerëzor. Papa shtoi se megjithë ndërlikimet e situatës së sotme, Kisha e shikon ardhmërinë
e njerëzimit me shpresë dhe u kujton të krishterëve se ‘kumtimi i Krishtit është faktori
i parë dhe i kryesor i zhvillimit”. Më pas, Ati i Shenjtë shprehu shqetësimin e
tij të thellë për situatën në Honduras, ku uroi që: “Udhëheqësit e kombit
dhe të gjithë banorët e tij të ecin me durim në rrugën e dialogut, të mirëkuptimit
reciprok e të pajtimit. Kjo bëhet e mundur në se, duke kapërcyer prirjet përçarëse,
secili përpiqet të kërkojë të vërtetën e të punojë me guxim për të mirën e përbashkët:
ky është kushti për të siguruar bashkëjetesën paqësore dhe jetën e vërtetë demokratike”. Së
fundi, njoftimi për fillimin e pushimeve në Vale D’ Aosta të Lë Kombë, vend që u bë
i njohur në të gjithë botën, kur Gjon Pali II nisi t’i kalojë këtu pushimet - shpjegoi
Papa – e që edhe unë e dua shumë. Ati i Shenjtë e përfundoi lutjen e djeshme të Engjëllit
të Tënzot, me një ftesë drejtuar besimtarëve, që të luten: “Lutja
nuk njeh largësi, as ndarje: kudo që jemi, na bën një zemër e vetme e një shpirt i
vetëm”. E në sa kujtoi pushimet, Papa shfrytëzoi rastin për t’i porositur
edhe një herë shtegtarët që nisen, të jenë të kujdesshëm në timon e ta respektojnë
me vëmendje shumë të përqendruar rregulloren rrugore. Ndërsa gjatë përshëndetjeve
në shumë gjuhë, reflektoi: në gjuhën frënge, mbi pasurinë e së dielës, kohë për
të pushuar e për të dëgjuar zërin e Zotit; në anglisht, një mendim drejtuar shtegtarëve
të ardhur nga Sidnei, ku një vit më parë Ati i Shenjtë kremtonte Ditën Botërore të
Rinisë; në gjuhën polake, urimi që pushimet verore t’i mbushin të gjithë me entuziazëm
e zell të ri; në italisht, një përshëndetje e posaçme ‘Misionarëve të Shëlbimit
Hyjnor’, besimtarëve të Trukut; të rinjve të veprimit katolik të Novolit si dhe ‘Miqve
të biçikletave’ të Spoltores, pranë Peskarës, që kishin ardhur me biçikletat e tyre
në Sheshin e Shën pjetrit, duke u ndaluar këtu për njërën nga etapat e shtegtimit
në tendopolin e zonave të Abrucos, të dëmtuara nga tërmeti.