2009-07-13 16:54:08

Papa fillon pushimet në Lë Kombë të Vale d’Aostës: dashuri, lule e poezi për t’i uruar mirëseardhjen.


(13.07.2009 RV)RealAudioMP3 Një orë fluturimi me avion e një gjysëm ore me helikopter mbi panoramën madhështore të masivit të Malit të Bardhë, që sundon gjithë zonën e vogël malore të Lë Kombë! Këtu arriti sot Papa, për të pushuar dy javë, deri më 29 korrik. Pas ndalimit prej një gjysëm ore në aeroportin Kasele të Torinos, Ati i Shenjtë ishte në vendpushim rreth orës 12. 40. Për ta pritur kishin dalë ipeshkvi i Aostës, Gjuzepe Anfonsi; kryetari i bashkisë, Osvaldo Noudin e, sidomos popullsia vendase, në festë për arritjen e mysafirit të shumëdashur, pas dy vjet mungese. Të pranishëm edhe gazetarët në këtë kornizë të arritjes së Papës në Lë Kombë. Një prej tyre, Salvatore Maca, i dërguar i gazetës italiane ‘Avvenire’ për të ndjekur pushimet papnore, na e përshkruan kështu, nga Vale d’Aosta , pritjen që iu bë Benediktit XVI:

Përgjigje: - Ishte një pritje shumë e ngrohtë: të pranishëm, si zakonisht, të gjithë fqinjët e shtëpisë së Papës, pastaj fëmijët e kopshtit komunal të Introdit, që e përshëndetën kush me një vjershë e kush me një tufë lule. Atmosferë feste. Pastaj njëri nga banorët, sapo Papa vuri këmbën e parë në tokë, e pyeti: “Jeni i kënaqur që u kthyet?”. E Benedikti XVI iu përgjigj: “Sigurisht! Këtu gjithçka është shumë e bukur. Përndryshe, nuk do të isha kthyer”.

Ndërsa ipeshkvi i Aostës, Imzot Anfonsi, duke pasur parasysh se popullsia vendase, që ka privilegjin të presë për të trembëdhjetën herë një papë, e rrethon atë me kujdes e dashuri, në mikrofonin tonë pohon:

Përgjigje: - Është shumë e thjeshtë: populli ynë nuk e ka zakon të vrapojë, të shqetësohet e të shkojë t’i shqetësojë edhe të tjerët. Besoj se do të sillemi kështu: në se Papa dëshiron të vijë tek ne - e ja që erdhi, sepse këtu gjen pushim e kushte shumë të përshtatshme për punë - mirëse të vijë! Nga ana ime, kërkova një pjesëmarrje sa më të madhe në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës së ardhshme.

E ky do të jetë edhe takimi i parë masiv i Papës me popullsinë e këtyre viseve të mrekullueshme, plot blerim e freski, ku ndodhet tëbana prej guri e druri, përhumbur mes pyjeve pafund të Lë Kombë, ku Papa tani po kalon çastet e para të pushimeve verore.







All the contents on this site are copyrighted ©.