Sot me 11 korrik Kisha kremton festën e Shën Benediktit, Pajtor i Evropës.
(11.07.2009 RV)"Që për njerëzit e sotëm … të jetë i pacenueshëm e i shenjtë
ideali i bashkimit shpirtëror të Evropës e të mos u mungojë kurrë ndihma nga qielli
për ta realizuar në praktikë, e shpallëm Shën Benediktin - Pajtor të Evropës". Me
këto fjalë Papa Pali VI, më 24 tetor 1964, nga Montekasino, ku kishte shkuar për të
shuguruar rishtas manastirin e shkatërruar prej bombardimeve aleate të 1944-tës, pikërisht
në vendin ku Shën Benedikti kishte kaluar vitet e fundit të jetës, duke rrezatuar
në të gjithë Kontinentin Evropian mesazhin e tij të përshpirtërisë e të fesë, dha
këtë njoftim për shpalljen e Abatit shenjt të shekullit VI, themeluesit të monakizmit
perëndimor, si Pajtor qiellor i Evropës. Ndonëse dita e vdekjes së Shenjtit është
21 marsi, Festa e Pajtorit të Evropës kremtohet sot, sepse marsi përkon me Kreshmët.
Gjithsesi murgjërit Benediktinë ia kremtojnë të dyja datat: atë të vdekjes dhe atë
të shpalljes Pajtor i Evropës. Në letrën apostolike "Pacis Nuntius" të datës 24
tetor 1964, Papa Pali VI shpjegonte edhe arsyet e kësaj shpalljeje, kërkuar me ngulm
nga hierarkia dhe nga mbarë populli i Zotit, pasi edhe Piu XII e pati kujtuar Shën
Benediktin si "Babai i Evropës" dhe vetë Gjoni XXIII e pati dëshiruar me gjithë zemër
këtë ditë. Ja ç'shkruhet në Letrën e Papës Montini: "Ndërsa shembej Perandoria
Otomane e disa zona të Evropës dukej sikur zhyteshin në errësirë, ndërsa të tjerat
jetonin pa qytetërim e pa vlera shpirtërore, ai, me impenjimin e tij të palodhshëm,
bëri që në këtë Kontinent të muzgët të lindë agimi i një epoke të re. Ai e bijtë e
tij me kryq, libër e parmendë, qenë të parët që çuan progresin e krishterë ndërmjet
popujve të përhapur nga Mesdheu e deri në Skandinavi; nga Irlanda e deri në rrafshinat
e Polonisë. Me Kryq, domethënë me Ligjin e Krishtit, siguruan qëndrueshmërinë dhe
lulëzimin e rendit të jetës publike e private… duke çimentuar atë unitet shpirtëror
evropian, me forcën e të cilit popuj që flisnin gjuhë të ndryshme, ndjenë se po formonin
një popull të vetëm. Popullin e Zotit. Me libër, pastaj, domethënë me kulturë,
vetë Shën Benedikti, nga i cili shumë manastire morën emër e forcë, shpëtoi me guxim
providencial, në çastin kur trashëgimia humanistike rrezikonte të zhdukej, traditën
klasike të botës së lashtë, duke i përcjellë të paprekur breznive të ardhshme, kultin
e diturisë. Me parmendë, së fundi, domethënë me kultivimin e arave e nisma të tjera
me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e bujqësisë, ia doli mbanesh t'i shndërronte
tokat djerr në fusha pjellore e kopshte të lulëzuara; e duke bashkuar lutjen me punën
materiale, sipas motos së tij të famshme "ora et labora" - "lutu e puno!" fisnikëroi
e lartoi djersën që rrjedh nga balli i ndershëm. Benedikti ndikoi fuqimisht mbi
fatet e Kontinentit të Vjetër. Me urdhërin e tij murgar, “Patriarku i monakizmit perëndimor”,
më pas bashkëpajtorë i Evropës, me Çirilin e Metodin, ushtroi një ndikim të pallogaritshëm
në përhapjen e krishterimit në të gjithë Kontinentin. Prandaj Shën Benedikti përbën
një pikë themelore referimi për bashkimin e Evropës, duke na kujtuar fuqimisht se
nuk mund të hiqet dorë nga rrënjët e krishtera të kulturës së saj e të qytetërimit
të saj. Ti lutemi Shën Benediktit të na ndihmojë ta ruajmë të patundur qëndërsinë
e Krishtit në jetën tonë. Ai duhet të zërë vendin e parë në mendimet tona e në veprimtaritë
tona” .
Pra Shën Benedikti mbetet tepër aktual. Si dikur me dritën e qytetërimit
të krishterë ia mbërriti t'i davaritë retë e zeza e të rrezatojë dhuratën e paqes,
kështu edhe sot ai i prin jetës evropiane, duke ndërmjetësuar që Evropa të zhvillohet,
të rritet e të përfshijë ndër kufijtë e vet të gjithë popujt që i përkasin e që dëshirojnë
të jetojnë sipas motos "ora et labora" - me Kryq, me pendë e parmendë!